Putini i konfiskon edhe çokollatat

Autoritetet ruse kanë konfiskuar disa kapacitete të fabrikës së çokollatave, që është pronë e presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, në qytetin Lipetsk në Rusi.

Kompania e Poroshenkos, e quajtur “Roshen”, ka njoftuar të mërkurën se zyrtarët rusë “me qëllim i kanë ndërmarrë të gjithë hapat për ta parandaluar kompaninë që t’i shesë kapacitetet e veta në Rusi”.

Para se të zgjedhje president i Ukrainës, në maj të vitit të kaluar, Poroshenko kishte premtuar shitjen e kompanisë “Roshen”.

Tashti kjo kompani ka paralajmëruar se do të ankohet kundër vendimit për konfiskim të kapaciteteve, që e kanë vlerën afro 39 milionë dollarë.

Autoritetet e Rusisë e kishin bastisur kompaninë “Roshen” edhe më 1 prill, me arsyetimin se po kërkonin materiale të ndërlidhura me një rast të fshehjes së taksave.

Komiteti Hetus i Rusisë, pas bastisjes, kishte njoftuar se fabrika “Roshen” ishte e dyshuar se ka marrë në mënyrë të paligjshme zbritje të tatimeve në vlerë prej afro 3.1 milionë dollarë.

Pas aneksimit të Krimesë vitin e kaluar dhe nxitjen e konfliktit në dy rajone tjera të Ukrainës, e që mori jetët e mbi 6000 vetave, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, vazhdon të provokojë jo vetëm Ukrainën dhe presidentin e saj.

Në shenjë pakënaqësie me sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, politika ruse përpiqet të mbajë në tension raportet me të gjitha vendet fqinje të Evropës, duke shkelur herë pas here hapësirën e tyre ajrore./Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button