Situatë e tendosur në Siri, dy palët gati për sulm

Në një kohë kur SHBA-të po bëjnë llogaritë e fundit për të sulmuar Sirinë, Damasku është gati për t’u kundërpërgjigjur. Departamenti amerikan i Shtetit tashmë është i bindur se ka fakte se janë përdorur armët kimike dhe sulmi mund të ndodhë para se OKB të mbajë një qëndrim për faktet e mbledhura nga inspektorët në terren.

Për të nxjerrë rezultatet e testeve në terren, inspektorëve të OKB-së u nevojiten më shumë se dy javë. Por tashmë jo shumë larg territorit të Sirisë, ndodhen 5 luftanije amerikane, ndërsa një tjetër është nisur drejtë saj.

“Jemi gati për t’u kundërpërgjigjur”

Televizioni “Al Arabiya” citon kryeministrin sirianë, i cili thotë se forcat e tyre janë gati për t’iu kundërpërgjigjur ndonjë sulmi të mundshëm. Ndërkohë në Damask, dëshmitarët raportojnë se jeta vazhdon e qetë, dyqanet janë të hapura ndërsa njerëzit janë në rrugë.

Ushtria siriane “është e mobilizuar, e ka gishtin në këmbëz”, tha Kryeministri, Wael al-Halqi, në një deklaratë për mediet në Damask. “Ushtria është gati për t’u përballur me çdo sfidë dhe çfarëdolloj skenari”, ka shtuar ai.

“Po presim të na sulmojnë në çdo moment. Ne jemi gati të hakmerremi në çdo moment”, ka thënë një zyrtar i paidentifikuar për “AFP”.

Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama ka deklaruar se administrata amerikane po shqyrton mundësitë e një veprimi të kufizuar, por theksoi se nuk ka ende asnjë vendim final për ndërhyrje ushtarake në Siri.

Lajme të ngjashme

Back to top button