Mustafa: Kosova, shtet i bazuar në vlera multikulturore

Kryeministri i kosovar, Isa Mustafa tha se Kosova si shtet i pavarur, i bazuar në vlera multikulturore, respekton dhe synon ndërtimin dhe vazhdimin e respektimit të këtyre vlerave.

Ai këto komente i bëri të enjten, më 23 prill, në Ditën e komunitetit turk.

“Me qytetarët turq kemi kaluar një rrugë të gjatë të sfidave, por edhe sukseseve të përbashkëta. Ndajmë shumë nga trashëgimia dhe historia jonë në të kaluarën, nga gërshetimet kulturore, kemi respektuar vlerat e traditës dhe po ashtu kemi vlerësuar objektet e kultit. Kosova si shtet i pavarur, i bazuar në vlera multikulturore, respekton dhe synon ndërtimin dhe vazhdimin e respektimit të këtyre vlerave”, tha kryeministri Mustafa.

Ai tha se qasja e komunitetit turk në Kosovë është një shembull i mirë i përkushtimit të tyre për vendin e tyre, për shtetin e Kosovës, si dhe për vlerat dhe interesat e përbashkëta të të gjithë qytetarëve.

“Dëshiroj të përgëzoj të gjithë qytetarët e komunitetit turk të Republikës së Kosovës për kontributin e dhënë në shtetformim dhe integrim, si dhe rolin e tyre si urë lidhëse me vendet e tjera. I gëzohem faktit se komuniteti turk është i përfaqësuar mirë në nivelin qendror, por po ashtu edhe në atë lokal, ka ministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ka deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka kryetarin e një komune dhe poashtu edhe pozita tjera të rëndësishme në institucione qendrore dhe lokale në Kosovë”, tha Mustafa.

Mustafa, poashtu shprehu gatishmërinë e Qeverinë e Republikës së Kosovës që të jenë të përkushtuar të krijojnë një perspektivë për të gjithë qytetarët, mundësi për shkollim në gjuhën amtare, për ruajtjen e identitetit të të gjitha përkatësive të etniteteve të ndryshme, thuhet në komunikatë.

“Jam i lumtur që sot, së bashku po shënojmë këtë ditë shumë të rëndësishme, sepse një ditë e rëndësishme e një komuniteti, shpreh poashtu vlerë edhe për komunitetet tjera dhe dëshiroj që në të ardhmen të krenohemi me të arriturat që do t’i realizojmë, si të arritura të përbashkëta”, shtoi ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button