Kosovë, përkujtohen të zhdukurit e luftës

Në Kosovë ka nisur java e të pagjeturve të luftës, por dhimbja për ata dhe shpresa se janë diku të gjallë është në mesin e qindra familjeve, të cilat nuk dinë për fatin e më të dashurve të tyre.

Halil Ujkanit nga Mitrovica i janë zhdukur dy djemtë dhe tre nipërit. Prej 16 vitesh ai nuk ka mundur të gjejë asnjë gjurmë që ndriçon fatin e tyre. Thotë se në tërë këto vite ka pranuar informacione të ndryshme, përfshirë edhe informata të tilla nga serbë të Beogradit, se rreth 300 shqiptarë që konsiderohen të zhdukur mbahen të gjallë në burgjet e Serbisë e që për lirimin e tyre pritet të vendosin kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Nuk besoj asgjë nëse nuk i shoh me sytë e mi”, thotë Ujkani.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tregon se edhe në këto histori ka sekserë që përfitojnë nga gjendja e familjarëve dhe i ushqejnë me informata te pasakta, duke i dëmtuar edhe financiarisht. Kjo, sipas tij, bën që disa familje të mos i pranojnë eshtrat, pavarësisht analizave të ADN-së, pasi besojnë se janë ende gjallë. Gërxhaliu tregon se kanë marrë shkresë zyrtare nga Beogradi se në Serbi nuk ka burgje me shqiptarë të kohës së luftës.

“Kemi hasur gjithmonë në grupe sekserësh që përfitojnë nga tragjedia e të tjerëve. Njerëzit dërgojnë para’ dhe rroba, me shpresën se do i shkojnë të afërmve të tyre nëpër burgje. Ne kemi marrë konfirmimin që në vitin 2006 se nuk ka asnjë person të gjallë në burgjet serbe”, shprehet Gërxhaliu.

Halil Ujkani thotë se ai vetë nuk ka dhënë para’ në këmbim të informatave për t’i gjetur familjarët e zhdukur, por tregon se familjarë të tjerë e kanë bërë këtë gjë sepse jetojnë me shpresën për t’i gjetur të gjallë: “Unë kurrë nuk kam dhënë, por njoh dikë që ka dhënë shumë herë para”.

Java e të pagjeturëve në Kosovë po shënohet nën përkujdesjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Në kuadër të saj do të organizohen aktivitete të ndryshme, përfshirë edhe një seancë me të vetmen pikë ne rendin e ditës: “Të zhdukurit e luftës”. Një përmendore pritet të zbulohet në qendër të Prishtinës më 27 prill, kur edhe është bërë një ndër masakrat më të mëdha në në Kosovë./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button