OSBE: Maqedonia vendi i vetëm në Ballkan me gazetar në burg

Maqedonia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor ku një gazetar përfundon në burg për shkak të fjalës së shkruar. 

Kështu thotë në letrën e saj drejtuar kryeministrit Nikolla Gruevski, përfaqësuesja e OSBE- për lirinë e mediave, Dunja Mijatoviq. 

Ajo i ka shkruar kryeministrit, se është e papranueshme për një shoqëri demokratike të burgoset një gazetar vetëm për një fjalë të shkruar, ndërsa e ka cilësuar gjithashtu të papranueshëm vendimin e autoriteteve gjyqësor për t’ia vazhduar paraburgimin gazetarit Tomislav Kezharovski. 

“Ky është i vetmi rast në Ballkanin Perëndimor ku një gazetar përfundon në burg dhe mbahet aty në pritje të gjyqit. Unë jam e shqetësuar nga arrestimi i tij dhe nga mbajtja tejet e gjatë në paraburgim, si dy masa që do të ndikojnë negativisht në lirinë e medias në vendin tuaj”, thekson Mijatoviq. 

Zyrtarja e OSBE-së citon edhe raportuesin special të OKB-së, Fran La Ru, i cili qëndroi në vendin tonë menjëherë pas lajmit mbi arrestimin e gazetarit. 

Ajo e përcjell deklaratën e tij, ku thotë se Kezharovski duhet liruar sa më shpejtë dhe se masa e paraburgimit është në funksion të frikësimit të gazetarëve. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button