Panairi i mjaltit ëmbëlsoi sheshin e Kërçovës

“Blini mjaltë kualitativ nga prodhuesit vendor”, është motoja e Panairit të mjaltit i cili filloi sot në Kërçovë dhe do të zgjasë edhe dy ditët në vazhdim.
Në këtë panair morën pjesë prodhues nga disa qytete të Maqedonisë të cilët njihen si regjione që prodhojnë mjaltë natyral dhe të shijshëm.
“Ne jemi prodhues nga Manastiri dhe po ju them që panaire të këtilla për promovimin e produkteve me vlera ushqyese janë të dobishëm edhe për ne, edhe për blerësit. Sot është dita e parë dhe ndoshta jot ë gjithë njerëzit janë të informuar për këtë por të interesuar ka pasur dhe puna shkon mirë. Kjo është viti i dytë që jemi në Kërçovë dhe shpresojmë që ky të shndërrohet në organizim tradicional.” – tha Mande Trajkovski, shitës i prodhimeve të “Mariovski med” nga Manastiri.
“Në këtë rast jemi nikoqir dhe jemi të privilegjuar që panairi mbahet në qytetin tonë. Shesim prodhime nga më të ndryshmet si mjaltë mali, mjaltë amzë, propolis, polen etj. Jemi të kënaqur me interesimin që shfaqin njerëzit sot.” – tha Kole Ilioski, i “Zllatna Pçella” nga Kërçova.
Ndërkaq specialiteti i këtij panairi vinte nga Prilepi i quajtur si “Biomed”, një përzierje mes mjaltit, mjaltit amzë dhe propolisit. Shitësja Ollga Shishkoska tha që është një përzierja natyrale dhe e shijëshme. Po kështu mendojnë edhe ato që e provuan.
“Këtë se kisha provuar më parë dhe më pëlqeu shumë. Më e mira është që është përzierje natyrale dhe përveç që është e shijshme, është edhe e shëndetshme. Unë jam një adhurues i mjaltit dhe prandaj sot jam këtu.” – tha Igor Rizvanoski, një vizitor i panairit.
Panairi do të jetë i hapur deri më 31 gusht kurse gjatë ditëve të ardhshme pritet që ta vizitojnë edhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button