Serbia letër OKB-së: Deklarata e Ramës, provokative dhe e rrezikshme

Ambasadori i Serbisë në Kombet e Bashkuara, Milan Milanoviç, i ka dërguar një letër Presidentes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Dina Kawar, më 8 prill, lidhur me deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me “bashkimin e Shqipërisë me Kosovën”.

Në letrën në fjalë, deklaratat e Ramës cilësohen si provokim dhe thuhet se ato dhe paraqesin një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Shkelqësi, jam i obliguar të tërheq vëmendjen tuaj në deklaratën e bërë nga z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dhënë në një intervistë të përbashkët me z. Hashim Thaçi, në televizionin e Prishtinës, të hënën, me 6 prill 2015.

Në intervistë, z. Rama ka deklaruar se ‘Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në mënyrë klasike’ nëse Bashkimi Europian nuk e hap rrugën për integrimin e Kosovës dhe liberalizimin e vizave.

Deklarata është provokative dhe jashtëzakonisht problematike për marrëdhëniet në rajon, në veçanti për ato mes Serbisë dhe Shqipërisë, dhe paraqet një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin rajon.

Në injorim të plotë ndaj Rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit dhe e barabartë me një thirrje për ri-vizatimin e kufijve ndërkombëtarë, deklarata shkon në kundërshtim me shpirtin e bashkëpunimit, mirëkuptimit të përbashkët, fqinjësisë së mirë dhe të ardhmes së përbashkët për shtetet e rajonit dhe përpjekjet e tyre për t’ju bashkuar Bashkimit Europian.

Duke tërhequr vëmendjen tuaj në këtë deklaratë, do të doja të theksoj se Republika e Serbisë në mënyrë konsistente ka mbështetur vlerat dhe parimet e sipërpërmendura, të mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe të dhëna edhe në standardet europiane, dhe pret që ato të respektohen plotësisht edhe nga vendet tjera të rajonit gjithashtu.

Vendi im pret që bashkësia ndërkombëtare të dënojë retorikën nacionaliste që pengon procesin e pajtimit dhe progresit në rajon”, thuhet në letrën që Serbia zyrtare e ka dërguar në adresën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në letrën që sjell “Express”.

Pas pranimit të kësaj letre, Këshilli i Sigurimit do të vendosë nëse kjo çështje do të hyjë në rend ose jo.

Reagimet nga Serbia kanë ardhur pas një interviste të përbashkët të kryeministrit Edi Rama dhe zv/kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku ata kanë folur për marrëdhëniet e shqiptarëve në rajon, të ardhmen e tyre dhe Europën.

Rama deklaroi se puna e përbashkët ndërmjet dy Qeverive, asaj në Tiranë dhe në Prishtinë, është rruga e një bashkimi kombëtar me mjetet e Shekullit XXI, në funksion të një Bashkimi Europian.

Lajme të ngjashme

Back to top button