Mësimdhënësit: SASHK nuk plotësoi kërkesat tona, pse madje kërcënohet me padi?!

Arsimtarët janë të tmerruar pas paralajmërimit të SASHK-ut se do të ngre padi penale kundër disa mësimdhënësve të cilët iu bashkëngjitën Plenumit, dhe protestuan duke kërkuar realizimin e kërkesave të tyre.

“E kemi digju deklaratën dhe është e tmerrshme. Po kemi protestuar dhe jemi anëtarë të sindikatës, por e pamë që kërkesat tona nuk u realizuan edhe pas grevës që mbajtëm andaj protestuam, një gjë e tillë i lejohet çdo personi në një shtet demokratik. Vetëm të ne mund të akuzohesh ose të paditesh se kërkon të drejtat tua si punëtor”, thanë  disa profesor të shkollave të mesme në Shkup.

Ish ministri i arsimit dhe shkencës, Sulejman Rushtiti thekson se kjo tregon se demokracia në vend ka rënë në kriza të përmasave të frikshme.

“Nuk ma pranon logjika që një organizatë që duhet të mbroj interesat e punonjësve të sillet në këtë mënyre despotike. Kjo tregon se demokracia në vend ka rënë në kriza të përmasave të frikshme. Është një deklaratë e pamatur dhe që nuk përkon me frymën e sindikaliste”, thekson për Portalb, Rushiti.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), të Kumanovës, Samet Jahiji thekson se SASHK-u është shndërruar në një organizatë qeveritare.

“E pamë se si lëshoj pe sindikata në bisedime dhe kjo dëshmon se është bë proqeveritare apo më mirë të them qeveritare, më nuk mbron interesat tona, por vepron ashtu si i thonë nga MASH-i. Unë gjithmonë kam qenë kundër saj, dhe nuk jam anëtar i saj. Ajo nuk mund të padis mësimdhënësit që kërkojnë aë që nuk e realizoi SASHK-u”, tha për Portalb, Jahiji.

Ai shtoi se është duke rishikuar mundësinë që të hap një Sindikatë të mësimdhënësve shqiptarë.

“Jam në bisedime me mësimdhënësit shqiptarë të Shkupit, Tetovës dhe vendeve tjera shqiptare që të ngremë një iniciativë dhe të themelojmë një sindikatë për mbrojtjen e interesave tona. Shpresoj që një gjë e tillë do të realizohet”, shtoi Jahiji.

Nga ana tjetër Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) ka ardhur në përfundim që të padisë ata mësimdhënës që veprojnë kundër Sindikatës.

“Është mbledhur kryesia e SASHK-ut dhe është vendosur që nëpërmjet avokatit të padisim disa persona apo një grup personash nga Plenumi i mësimdhënësve dhe Sindikata Multietnike, pasi që kemi fakte që janë kryer veprime jo të ligjshme kundër SASHK-ut dhe kryesisë së saj, me qëllim që në këtë mënyrë organizata jonë të jetë e mbrojtur nga veprimet e këtilla kundër nesh, si dhe të vërtetojë dëmin që po i sjellin SASHK-ut me këto veprime”, thuhet nga SASHK-ut.

Nga Plenumi i mësimdhënësve thonë se me këtë vendim SASHK-u vetëm se mund të humb një pjesë të madhe të anëtarëve.

“A është kjo deklaratë e kryetarit, anëtarësisë apo udhëheqësisë së SASHK-ut? Nuk e dimë, mirëpo për këtë gjë një numër i madh i mësimdhënësve që na janë bashkangjitur janë anëtarë të SASHK-ut. Ky sulm nuk është vetëm presion psikologjik por edhe sulm ndaj anëtarëve. Të rikujtojmë se Sindikata nuk është kryetari, por janë anëtarët të cilët e formojnë, të cilët ndajnë mjete për mbrojtjen e interesave dhe të drejtave tona, por si duket kjo nuk është kështu”, thonë nga Plenumi i mësimdhënësve.

Kurse numri i mësimdhënësve që po largohen nga Sindikata shkon çdo ditë duke u rritur, sidomos pas përfundimit të grevës, pas së cilës mësimdhënësit u shprehën të revoltuar me marrëveshjen që u arrit mes SASHK-ut dhe MASH-it.

Lajme të ngjashme

Back to top button