Azem Sadiki në Turqi për të sjellë investitorë në Komunën e Studeniçanit

Një delegacion nga Komuna e Studeniçanit i udhëhequr nga kryetari Azem Sadiki, Kryetari i Këshillit Komunal Qenan Imeri dhe Mervet Musliovski ka qëndruar për vizitë pesë ditore në Republikën e Turqisë.

Ky është takimi i parë zyrtar i kreut të Komunës së Studeniçanit i realizuar jashtë vendit që nga marrja e mandatit nga zgjedhjet e fundit lokale. Kreu i Studeniçanit ka qenë mysafirë special i kryetarit të Burës z.Rexhep Alltepe dhe ka marrë pjesë edhe në shumë evenimente të organizuar nga qyteti i Bursës me rastin e përvjetorit të çlirimit të tij.

“Kisha takim me kryetarin e Qytetit të Bursës z.Rexhep Alltepe, në emër të qytetarëve të Komunës së Studeniçanit i dhuruam një mirënjohje në shenjë faleminderimi për bashkëpunimin e deritanishëm. Në takim me të biseduam edhe për shkëmbimin e përvojave të dy Komunave tona. Do të jemi shumë të nderuar nëse na mundësohet që administratën e komunës sonë ta dërgojmë në trajnim të përkohshëm në Bursë për të shkëmbyer përvoja por edhe për të mësuar nga ato sistemi i administrimit komunal. Kam përshtypje se pushteti lokal në Republikën e Turqisë duhet të shërbej si shembull dhe model se si duhet te punohet dhe kryehen shërbimet komunale ndaj qytetarëve”, tha Azem Sadiki, kryetar i Komunës së Studeniçanit pas kthimit të tij nga Turqia.

Kryetari Sadiki në qytetin e Bursës ka takuar edhe ndihmës sekretarin e qytetit për planifikim urban z.Bajram Vardar dhe ndihmës sekretarin gjeneral të qytetit z.Nexhmetin Shenoxhak. Gjatë qëndrimit në Odën Ekonomike të Bursës për Tregti dhe Zejtari (BTSO), delegacioni nga Komuna e Studeniçanit ka realizuar takim me ndihmës kryetarin Dr. Mustafa Esgin i cili ka organizuar edhe një takim pune me biznismen të njohur të qytetit të Bursës.

“Pata rastin dhe nderin t’ju drejtohem atyre që ishin prezent ti njoftoj për komunën tonë dhe planet dhe lehtësimet që i bëjmë për të gjithë ata që duan të vijnë të investojnë në komunën tonë. Edhe në këtë takim edhe gjatë vizitave të ndara që ju bëmë disa firmave më të mëdha dhe të njohura në qytetin e Bursës i ftova ata që të vijnë të investojnë në komunën tonë”, njoftoj Sadiki.

Kryetari i Studeniçanit Azem Sadiki në Bursë po ashtu është takuar edhe me znj. Genxhaj Eroglu – Drejtoreshë e departamentit për rini dhe sport të Republikës Turke të Qipros Veriore.

“Në Qytetin e Bursës pata rastin dhe nderin e veçantë të takoj zonjën Genxhaj Eroglu – Drejtoreshë e departamentit për rini dhe sport të Republikës Turke të Qipros Veriore. Bashkë u dakorduam që të vazhdojmë në të ardhmen bashkëpunimin në sferën e kulturës dhe sportit. Kënaqësia ishte e jona të marrim pjesë në natën finale të Festivalit Ballkanik të shoqërive kulturore artistike nga vendet e Ballkanit. Ishte vërtetë natë fantastike ku jehonte kënga dhe vallja shqipe nga shoqërit kulturore artistike nga Maqedonia, Kosova Shqipëria dhe gjithë Ballkani”, nënvizoi Sadiki.

Kryetari Sadiki së bashku me kryetarin e qytetit të Bursës z.Rexhep Alltepe ka marrë pjesë në hapjen solemne të zyrave të reja të Federatës Ballkanike të Shoqërive Kulturore nga vendet e Ballkanit.

Dy ditët e fundit delegacioni nga komuna e Studeniçanit i kaloi në qytetin e Mersinit.

Lajme të ngjashme

Back to top button