Pse zvarritet procesi për rastin “Monstra”?

Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim lidhur me ankesën e parashtruar nga avokati mbrojtës për rastin “Monstra”, ankesë kjo e cila u bë gati pesë muaj më parë.

Avokati mbrojtës Naser Raufi bën të ditur për Portalb, se ende nuk ka asnjë përgjigje nga ana e Apelit edhe pse aktgjykimi u dorëzua para 4-5 muajsh, sipas tij përgjigjja duhej të jepet në muajin shkurt.

“Muaji janar kaloi me festa kurse në shkurt është dashur të kthejnë përgjigje lidhur me vendimin mbi ankesën tonë. Kaluan 4-5 muaj që kur kemi dorëzuar aktvendimin dhe ende nuk ka asgjë, shumë po zvarriten procedurat pa asnjë arsye”, tha për Portalb, Raufi.

Ai shtoi se është optimist dhe vlerëson se gjykatësit e apelit do të bëjnë punën si duhet dhe se e vërteta do të del në shesh.

“Jam optimist dhe e vlerësoj punën e gjykatësve të Apelit pasi që ata janë profesionistë dhe mendoj se do të del e vërteta në shesh. Edhe nëse nuk ka asgjë për këtë rast në përgjimet e publikuara nga opozita, sërish besoj në pafajësinë e të burgosurve. Por si duket edhe Gjykata e Apelit po pret përgjimet pasi që nuk është marrë ndonjë vendim deri më tani”, tha Raufi.

Familjarët ndryshe nga Raufi,  nuk janë optimist dhe thonë që puna dhe funksionimi i gjykatave është politizuar dhe se nuk besojnë që do të ketë gjykim real, të bazuar në fakte e jo në përralla.

“Unë nuk jam optimist, sepse e di që familjarët dhe të akuzuarit tjerë janë të pafajshëm por me vite po kalben burgjeve. Me skandalet e fundit doli në shesh politizimi i gjykatave, atëherë si të presim neve një gjykim të drejtë të bazuar në fakte dhe jo në përalla siç ishte rasti i familjarëve tanë”, shprehet për Portalb, Bedri Ajdari, familjari i Fejzi dhe Haki Azirit.

Ai shtoi se të dëshpëruar janë edhe të burgosurit pasi që po ju bëhet një padrejtësi e madhe.

“Edhe ata në burgje janë të dëshpëruar sepse po e shohin që asgjë spo ndodh. Gjithkund jemi ankuar, protestuam dhe ende asgjë. E vërteta do del në shesh por shpresojmë të mos jetë shumë vonë”, tha Ajdari.

Ndërkaq lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev tha se do të publikoj gjithçka që posedon për rastin “Monstra” kur u vranë katër fëmijë dhe një person i rritur pranë liqenit të Smillkovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button