Zhernovski formon Komision, për hetimin e parcelave

Andej Zhernovski formoi një komision për parcelat në Vodno, për të cilat opozita e akuzon kryeministrin se përmes firmave të huaja i ka blerë për vete dhe i ka shndërruar në toka ndërtimore. Qëllimi, sipas kryetarit të komunës Qendër, është të shihet historia e këtyre parcelave por edhe të mbrohen interesat e qytetarëve që jetojnë atje.

“Sot formova një komision që do të kontrollojë se çfarë është bërë në periudhën e kaluar, para se të vinim ne, cili është projekti që plani i përgjithshëm të ndryshohet dhe kuptohet, siç dëgjuam nga bisedat, Plani i detajuar urbanistik të cilin e miratoi komuna, të përshtatet me Planin e përgjithshëm”, deklaroi Andrej Zhernovski, kryetar i komunës Qendër.

Deklaratën, Zhernovski e dha bashkë me Leana Thaqin, përreth shtëpisë së të cilës duhet të ndërtohet një mur mbrojtës 6-7 metra, për të cilën flitet në bisedat e publikuara nga LSDM-ja. Ajo bëri thirrje për aksion qytetar, jo vetëm për shkak të shtëpisë së saj por edhe për gjelbërimin që do duhet të shkatërrohet dhe për rrezikun nga rrëshqitja e dheut.

“Kemi frikë para së gjithash nga rrëshqitja e dheut. Unë jetoj tashmë prej 30 vitesh këtu. Toka, tërë ajo kodrinë është nga glina dhe besoj se parcelat që janë planifikuar, ato vërtetë janë parcela të mëdha në krahasim me një shtëpi normale për banim. Besoj se tërë rruga do të rrezikohet, ashtu si e dimë nga e kaluara, që ndodhi në anën ku gjendet Panorama”, u shpreh Leana Thaqi, banore në rrugën “Pitu Guli”.

Për të ndërtuar në këto parcela, të cilat sipas opozitës, i përkasin kryeministrit, viteve të fundit janë bërë shumë ndryshime. Së pari u ndryshua Plani i përgjithshëm urbanistik, i cili shtyu kufirin drejt malit që tregon se deri ku mund të ndërtohen shtëpi. Ndërsa plani i detajuar urbanistik, së pari ishte refuzuar nga udhëheqja e re e komunës, por me ligj të ri të miratuar në Kuvend, u mbivendos në mënyrë që të rikthehej në rend dite për miratim./ Alsat -M

Lajme të ngjashme

Back to top button