Gjendje harakiri!?

Fjala “harakiri” vjen nga japonishtja (hara-bark dhe kiri-prerje). Por, kjo fjalë në fakt është shpikje evropiane që i nevrikos Japonezët. Burimisht, vetëvrasja e samurajëve është quajtur “Seppuku”, që kryhej strikt sipas ritualeve të kodeksit Bushillo, ku samurajët që kishin humbur nderin, kryenin vetëvrasje me thikë. Kur mbreti Hirohito më 10 gusht 1945 kishtë pranuar kapitulim para SHBA-ve, shumë Japonez atë e kishin ndjerë si një dinjitet i humbur, andaj kishin pritur që mbreti i tyre të kryejë – seppuku. Por, ajo nuk ndodhi, kështu që një numër i madh i Japonezëve ketë e pat vlerësua si pandershmëri. Kjo ndjenjë e dinjitetit të humbur, vite të tëra i ka ndjekur Japonezët. Mu për këte traditë të përgjakshme, në vitin 1970 seppuku do të kryejë shkrimtari i njohur Japonez – Juko Mishima, i cili nuk arriti t’i bindë gjeneralët nga shtabi i përgjithshëm i Tokios të kryejnë grusht-shtet që të ripërtërihet mbretëria, por me nder. Ai do të kryej seppuku para një numri të madh gazetarësh dhe para gjithë opinionit. Kishte vlerësuar se, meqë mbretëria me dinjitet nuk mund të rikthehet, jeta për Japonezët nuk ka më esencë!

Përderisa Japonezët kryenin seppuku për hir të ruajtjes së nderit e dinjitetit, te ne vetëvrasje të tilla apo seppuku mund të ndodhin vetëm atëherë kur të humbet mundësia për të bërë veprime të pandershme. Po të mbeten udhëheqësit tanë pa vepra të liga, atëherë seppuku nuk u ikë. Ata në fakt as që mund të jetojnë pa vepra të tilla. Tani shihet se “patriotizmi” i tyre nuk kishte qenë më shumë se plaçkitje, vjedhje, shkelje masovike të ligjeve. Këso “patriotësh”, me paratë e tona blenë zona elite ndërtimi, banesa të mëdha, vila të shtrenjta, hacienda grandioze dhe çka mos tjera!? Tendera milionëshe për miq e mikesha, për mbesa e nipëra, djem e vajza. Kanë larë e qarkulluar qindra milion evro nëpër ishujt Karibe, në Belize, Salvador e Qipro. E tani habiten kur dëgjojnë mallkim edhe nga ata që deri dje betoheshin në ta! E si ndryshe kur bënë që ekonomia të na shndërrohet në forcë më religjioze se sa vet feja, pasi ka shkaktuar agjërim të përditshëm.

Kryeministri synoj “Gazimestanin”, por shumë vonë. Në mitingun e tij gjithçka dukej e lodhshme dhe pa energji. Njerëz të “vrarë”, jo nga Zoti, por nga pushtetarët, ishin sjellë aty me presion për të dëgjuar burimin e fatkeqësive dhe mjerimit të vet. Në sytë e tyre lexohej qartë se nuk donin të jenë aty. Ndër analistë dilema – ishte një miting apo një varrim?! Do tjerë u turpëruan nga përkatësia e vet kombëtarë, pasi të tillë ishin edhe ata në sallë. Në radhët e para s’kishte më aurë, por pamë shumë centaur, të cilat vështirë kuptojnë se e kanë fundin. Sa më shumë që u bie numri i argumenteve aq më shumë u rritet numri i gënjeshtrave. Tani më disa parti politike që kanë një gram rezon mendojnë ta braktisin qeverinë, kurse do të tjera pa kurfar vlere, të përbetuara përjetshëm – duan të vdesin në përqafim të djallit!

Qeveria e Gruevskit tani sigurtë hapëron drejt harakirit të vet. Qeveriste ashtu sa çdo ditë hante nga një pjesë nga ne. Tani ditë e më tepër nga shumë burime të pastra grumbullohen ujëra ku duhet të mbytet truri i ndotur qeveritar. Tani më kemi plasaritje të mëdha edhe në vetë anijen e quajtur – VMRO-DPMNE, plasaritje që shpejt do të çojnë në fundosje, pos nëse flijohet spiranca (Gruevski), që të shpëtohet anija. Te ata është dilema se kush do të fundoset i pari? Apo do të fundosen se bashku! Kjo do t’i gjen edhe pronarët e atyre mediave që tani u dalin mendtë kur u kujtohet se humbin Gruevskin, e me te edhe shansin të arsyetojnë 50-të milion euro (të dukshme).

Gruevski do të mbahet mend edhe për përkëmbje të shqiptarëve para syve të “patriotëve”! Do të mbetet enigmë se çka ndodhi me këta njerëz që aq shumë i lejuan një Gruevski që t’ua përkëmbë popullin, por edhe dinjitetin e tyre!? Do të duhet të shkruhen libra për këto çudira historike! Lejuan diskriminimin e shqiptarëve akoma të pa lindur (ligji mbi natalitetin); rrëzuan cenzusin për zgjedhje të kryetarit të shtetit duke defaktorizuar veten; ndihmuan Ivanovin; donin ta votonin stemën dhe ndryshimet kushtetuese për larje të parave; harruan integrimet; ata pak investime nga jashtë shkuan në lindje të shtetit; poshtërohen me letërnjoftimet; hoqën dorë nga të gjitha premtimet! Urojë që grupi për ndryshime në BDI, që pat penguar stemën dhe ndryshimet kushtetuese, që të vazhdoj duke pastrua ambientin nga njerëz me hipoteka që mbajnë peng një popull të tërë. Dhe mos të kenë dert për Kalin e Trojës (PDSH), që gjer në vdekje do t’i shërbej VMRO-së! Ai fund e ka. Forca është jo te shumica numerike qeveritare (siç thotë Xhaferi për VMRO-GROM), por te numri i 20 deputetëve shqiptar, të cilët qeverisë mund t’ia shkurtojnë edhe ato frymëmarrje të fundit.

Prifti fanatik Xhin Xhons, udhëheqës i sektit “Tempulli i popullit”, në vitet 1974-1978 mashtroi mijëra njerëz gjoja se ai bisedonte me Zotin, dhe u pasurua pa masë. Por, kur qeveria amerikane zbuloi se çfarë ai bënte në kampin e tij famëkeq “Xhonstaun”, se si ai mbante njerëzit në terror dhe uri, u detyrua të intervenoj. Por, prifti tani më kishte detyruar mijëra njerëz në mesin e të cilëve edhe shumë fëmijë që ta pinë helmin. Njerëzit vdisnin si pulat. Mijëra viktima të manipulimeve dhe mashtrimeve. Por, dhe vetë Xhons u gjet në një karrige ulur më plumb në kokë. Kishte kryer harakiri! Mos ndodhë që edhe ndër ne me kaq durim, nesër të shohim se i jemi përkulur një ZERO-je të madhe, atëherë seppuku nuk na ikë!

Lajme të ngjashme

Back to top button