Mustafa: Jemi larg përmbushjes së standardeve për konsumatorët

Në ditën ndërkombëtare të Konsumatorit, kryeministri Isa Mustafa pranon se Kosova është ende larg përmbushjes së standardeve për konsumatorët.

Mustafa zotohet se qeveria që ai drejton do të bëjë ç’është e mundur që konsumatorët e vendit, të gëzojnë të drejtën e nevojave bazë.

Më poshtë mund të lexoni deklaratën e plotë të kryeministrit Isa Mustafa:

Ne të gjithë jemi konsumatorë. Sot është dita jonë. Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit. Ne kemi të drejtë të marrim atë për të cilën paguajmë. E çka është më e rëndësishmja, është e drejtë e jona që atë që paguajmë dhe marrim të jetë e mirë për shëndetin tonë.

Kosova bën pjesë në mozaikun e shteteve ku flitet për të drejtën e konsumatorit. Ne ende jemi larg përmbushjes së standardeve. Por, qeveria që unë drejtoj do të bëjë çfarë është e mundur që konsumatorët kosovarë të gëzojnë të drejtën e përmbushjes së nevojave bazë, të drejtën e zhdëmtimit, të drejtat për edukimin e konsumatorëve dhe të drejtën për një mjedis të shëndetshëm.

Me të drejtë, është ngritur shqetësimi për rrezikun nga produkte të dyshimta dhe me afat të skaduar, që shumë herë mund të gjenden në tregjet e Kosovës. Pa paragjykuar rezultatet, ju siguroj që qeveria që unë drejtoj do të dëgjoj ankesat e konsumatorëve dhe do të këmbëngulë për t’u siguruar që konsumatori kosovar ushqehet dhe shërbehet me furnizim që plotëson standardet më të mira evropiane.

Lajme të ngjashme

Back to top button