Qytetarët e Kosovës duhet të lëvizin lirshëm si të gjithë europianët

I nderuar President Juncker,

Po ju shkruaj si qytetar i vendit tim— Kosovës. Republika e Kosovës, shteti më i ri europian, u lind me 17 shkurt 2008 dhe është e pavarur duke ju falënderuar përpjekjeve tona të gjata dhe mbështetjes së patundur të botës euro-amerikane. Populli i Kosovës e çmon lartë gjithçka Europa, SHBA-të dhe sidomos BE-ja kanë bërë për ne. Megjithatë, arsyeja pse po ju drejtohem sot është që të sjell në vëmendjen tuaj trajtimin jofer të vendit tim në procesin e liberalizimit të vizave.

Zoti President,

Kosova është vendi i vetëm në Europë qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm përjashta kufijve të shtetit të tyre. Ne pritëm me durim, për mbi katër vite pas shpalljes së pavarësisë, derisa më në fund, me 14 qershor 2012 na u ofrua udhërrëfyesi aq i nevojshëm për liberalizimin  e vizave. Në këtë datë qeverisë sonë ju dorëzua lista e kërkesave që duhej të përmbusheshin ashtu që shteti ynë të kualifikohej për udhëtime pa viza për dhe nëpër zonën e Schengenit.

Dy vjet më vonë, në korrik 2014, Komisioni Europian publikoi raportin e progresit të Kosovës. Për habinë e qeverisë sonë, shoqërisë civile dhe ekspertëve tonë në çështjet e inetegrimit në BE, progresi ynë u vlerësua me metoda ndryshe nga ai i shteteve tjera të Ballkanit nëpër të cilin ato kishin kaluar mes viteve 2008-2010.

Në vlerësimin e shteteve tjera ballkanike, Komisioni kishte përdorur kritere të qarta të përshkrimit për suksesin gjegjësisht dëdhtimin e secilës kërkesë në udhërrëfyes, çfarë automatikisht bënte të mundur matjen objektive të përparimit në këto vende. Ndonëse Kosova ka marrë një udhërrëfyes dhe dy vlerësime deri mue tash, mungesa e standardeve precise në to rezulton në mosmundësi për të matur progresin siç duhet dhe me drejtësi. Për qytetarët e Kosovës dhe shoqërinë tonë civile mungesa e standardeve të qarta e bën shumë të vështirë që ne të dimë ku të rrisim presionin dhe kur të kërkojmë llogari nga politikanët dhe përfaqësuesit tonë.

Janarin dhe shkurtin e vitit 2015 mediat internacionale dhe lokale raportuan për dhjetra-mijëra qytetarë të Kosovës që po kalonin kufirin e BE-së ilegalisht. Asgjë nuk ta then zemrën më shumë se sa kur sheh njerëzit duke lënë shtëpitë e tyre dhe trollin stërgjyshëror ndërsa rrezikojnë  jetët e tyre dhe fëmijëve të tyre  për të shkuar diku në Europë për të gjetur një punë dhe për të gëzuar lirinë e lëvizjes.

Po, qeveria jonë duhet të bartë barrën kryesore të kësaj pakënaqësie të atyre që po largohen, por njerëzit janë duke u larguar edhe ngase ndihen sikur Europa ka humbur interesimin për ta. Qytetarët e Kosovës janë të dëshpëruar dhe çdo ditë po humbin durimin sepse të jetosh në Kosovë pa të drejtën të lëvizësh lirshëm nëpër Europë është sikur të jetosh në burg.

Shumica e atyre që janë duke ikur nga Kosova nuk mund të provojnë shkelje të të drejtave të tyre njerëzore. Arsye rrënjësore e ekzodusit është papunësia. Njerëzit në Kosovë nuk kanë punë dhe as shpresë për punë.

Unë jam i bindur që Kosova dhe Europa, sëbashku, duhet t’i godasin problemet e izolimit të Kosovë dhe papunësisë drejt e në kokë.

Së pari, Europa duhet ta rrënojë murin rreth Kosovës dhe të përfundojë bisedimet për liberalizimin e vizava sa më shpejt, ashtu që ne mund të udhëtojmë lirshëm gjithkah në zonën e Schengenit. Së dyti, kapitali human dhe financiar europian duhet të rrjedh lirshëm nga qendrat europiane kah Kosova për t’u takuar me detin e pasur të punëtorëve të rinj dhe aftë në Kosovë; jo anasjelltas.

Kosova është e pasur me minerale dhe materiale bazike dhe ka përparësi krahasuese absolute në disa sektorë ekonomik, të cilët nëse ushqehen me injektim të kapitalit nga Europa do të bëjnë investimet win-win për investitorët europianë dhe Kosovën. BE-ja është krijuar që të lidhë sëbashku shtetet europiane në një ndërmarrje interdependente ku asnjë shtet nuk do të ketë arsye të prishë paqen, t’i frikësohet apo shfrytëzojë tjetrin.

  1. President Juncker,

ju jeni zyrtari që rrini ulur në zyrën më të fuqishme në BE. Si kreu i Komisionit Europian ju përcaktoni agjendën e politikave të Komisionit dhe jeni dorzanë i interesit të përgjithshëm europian. Statusi pa viza për qytetarët e Kosovës është një çështje urgjente dhe në interes të Europës. Duke bërë liberalizimin e vizave për Kosovën prioritet, ju do të jeni Presidenti i fundit i Komisionit Europian që sheh geto në dheun e Europës. Vetëm njerëzit e lirë, të cilët mund të lëvizin lirshëm, mund të ndërtojnë një të ardhme të sigurt për Europën. Posa qytetarët e Kosovës do të jenë të lirë për të lëvizur, popujt e Europës do të bëhen një.

Ju faleminderit për kohën dhe vëmendjen tuaj, President Juncker.

Sinqerisht,

Uk Lushi

Lajme të ngjashme

Back to top button