OSBE refuzon kontaktet me mediat që transmetojnë deklaratat e Milenko Nedellkovskit
Misioni i OSBE-së shpreh shqetësim serioz për gjuhën e urrejtjes që ka përdorur gazetari kontrovers Milenko Nedelkovski.
Në reagimin e Misionit të OSBE-së, i cili medieve iu shpërnda nga Këshilli i Etikës së mediave në Maqedoni, thuhet se deklarata ku Nedelkovski bën thirrje që “të groposen thellë nën tokë disa gazetarë dhe politikanë dhe mbi ta të vihet një pllakë e trashë betoni”, paraqet shkelje të vijës së kuqe të fjalorit të urrejtjes, e cila nuk mund të tolerohet.
Misioni i OSBE-së konstaton se në lirinë e shprehjes dhe të shkëmbimit të mendimeve të ndryshme ekzistojnë kufij kur cenohet e drejta e jetës dhe e integritetit fizik të personave të tjerë. OSBE vlerëson se ky fjalor dëmton gjithashtu edukimin moral të gjeneratave të ardhshme.
“Vërejtjet e Nedelkovskit janë vazhdimësi e praktikës negative të fjalorit të urrejtjes, si pjesë e deklarimeve të tij të shpeshta. Misioni i OSBE-së është i përfshirë në një projekt kundër gjuhës së urrejtjes. Nëse mediet lejojnë këtë gjuhë atëherë komprometohen dhe nënvlerësohen përcaktimet tona”, thuhet në reagim. Misioni i OSBE-së në Shkup thotë se refuzon çfarëdolloj kontakti me Nedelkovskin dhe me të gjitha ato medie që i sigurojnë atij mundësinë për t’i thënë këto “mesazhe të tmerrshme”.
Ky reagim iu dërgua Këshillit të Etikës së Mediave në Maqedoni duke i kërkuar që të reagojë për gjuhën e përdorur nga Milenko Nedelkovski.