RDK: Situata po përkeqësohet, askush të mos fshihet pas logos partiake!

Rilindja Demokratike Kombëtare vlerëson se situata politike në vend është shumë serioze dhe komplekse, dhe logjika e shëndoshë thotë se kjo situatë do të përkeqësohet tej mase në të ardhmen. E gjithë kjo që ndodh kohëve të fundit, është si rezultat i akumulimit të shumë problemeve dhe keqpërdorimeve të natyrave të ndryshme që nga pavarësimi i shtetit e deri më sot. Për këtë arsye, këto rrethana të jashtëzakonshme kërkojnë që secili të luaj rolin e vet konstruktiv qoftë si parti politike, qoftë si individ, me qëllim të daljes nga kjo krizë e thellë e vendit me pasoja shumë të rënda shoqërore dhe individuale.

Rilindja Demokratike Kombëtare doli në skenë në dhjetor të vitit 2012 me organizimin e Kongresit të parë partiak, si pasojë e zhgënjimit të politikanëve të ndryshëm në zhvillimin e kombit në përgjithësi. Rrethanat e fundit në vend e konfirmojnë edhe më fuqishëm këtë argumentim të zhgënjimit, dhe tanimë ky proces duhet të marrë trajtën e duhur. Duke pasur parasysh faktin se RDK-ja nuk ka ekzistuar si subjekt juridik kur kanë filluar të akumulohen këto probleme, ne serish dëshirojmë të japim një kontribut konkret në zhveshjen e kësaj mjegullie të krijuar kohëve të fundit. RDK-ja del me një hap konkret për ndërprerje të aktivitetit të çfarëdo prononcimi publik me qëllim që secili të vishet me ‘petkun’ individual të të bërit politik, dhe askush të mos ketë hapësirë të fshihet pas logos së asnjërës parti politike.

Qëllimi i këtij vendimi të RDK-së është që e gjithë e vërteta e të bërit politik për këto 24 vite të pluralizmit në vend të dali në sipërfaqe, dhe njëherë e përgjithmonë të pastrohet gjithë e kaluara e secilit prej figurave publike në vend. Kërkojmë nga institucionet përkatëse që posedojnë informata të vërteta, të nxjerrin gjithë të vërtetën në shesh, me qëllim që gjithë qytetarët e këtij vendi dhe më gjerë, të shohin dhe pastrojnë të kaluarën e secilit njëherë e përgjithmonë. Le të jetë ky një akt që do të shërbej si mësim për të gjithë ne, dhe gjeneratat që do të na pasojnë, që askush të mos guxoj të fshihet pas logos partiake, por secili të veshi teshat e vërteta reale në bazë të veprimit politik të këtyre 24 viteve të tranzicionit në vend.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button