Ministri Poposki do të mbajë ligjëratë në kampin “E dua Maqedoninë”

Ministri i punëve të jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Poposki sot në Ohër do të mbajë ligjëratë në kampin veror “E dua Maqedoninë”.

Në kamp, siç kumtoi MPJ-ja, marrin pjesë 35 fëmijë pjesëtarë të pakicave nacionale maqedonase nga vendet fqinje, ndërsa ligjërues është një profesor i gjuhës maqedonase i propozuar nga Universiteti “Goce Dellçev” nga Shtipi.

Kjo ngjarje paraqet pjesë të projektit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë “Larg, e megjithatë afër”, qëllimi kryesor i të cilit është ngritja e nivelit të njohjes së gjuhës maqedonase në mesin e pjesëtarëve të pakicës maqedonase në vendet fqinje dhe komunitetet maqedonase në diasporë.
Kampi veror “E dua Maqedoninë” edhe këtë vit, i dyti me radhë, mbahet në hotelin “Qendra e kongreseve” në Ohër, ndërkaq është paraparë të zgjasë deri më 25 gusht. Ngjarja ka për qëllim ta përmirësojë njohjen e gjuhës amtare të target grupit dhe njëkohësisht të krijojë bashkësi më të madhe ndërmjet maqedonasve nga vendet fqinje. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button