Ministri Ademi takon homologun e tij kroat Vedran Mornar

Ministri i Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, ka takuar ministrin e Shkencës, Arsimit dhe Sportit të Republikës së Kroacisë, Vedran Mornar.

Gjatë këtij takimi u nënshkrua Programi për bashkëpunim në fushën e shkencës, teknologjisë dhe arsimit për periudhën e viteve 2015-2018.

Ministri Ademi me këtë rast theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e shkencës, teknologjisë dhe arsimit është shumë vjeçar, si dhe sipas tij për këtë bashkëpunim flasin edhe të dhënat se marrëveshja e parë mes dy vendeve është nënshkruar në vitin 1995.
Ai thotë se prej asaj kohe deri më sot bashkëpunimi shënon një progres të vazhdueshëm.

“Kam nderin e veçantë që sot nënshkruam edhe një dokument tjetër të rëndësishëm me të cilën do të forcohen edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve tona”, tha Ademi, duke shtuar se ky program parashikon më shumë aktivitete të përbashkëta mes ministrive, mirëpo edhe mes universiteteve dhe institucioneve të tjera arsimore.

Gjatë bisedës Ademi tha se janë shkëmbyer më shumë informacione dhe është konstatuar se problemet për sfidat e arsimit janë të ngjashme në të dy vendet, si dhe sipas tij nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë në përcjelljen e përvojave pozitive nga të dy vendet. Në lidhje me Ligjin e ri për arsim të lartë, Ademi tha se është mbajtur një mbledhje me përfaqësuesit e arsimit dhe plenumin studentor dhe në kohën e ardhme do të analizohen këto kërkesa të studentëve.

Nga ana tjetër ministri kroat, Mornar në lidhje me zhvillimet e fundit të protestave kundër miratimit të Ligjit të ri për arsim të lartë, porositi ministrin maqedonas që të ndjek një dokumentar të Kroacisë, pasi që para disa viteve e njëjta ka ndodhur edhe në vendin e tij. Ndërsa, për mbajtjen e provimit shtetëror edhe ministri kroat propozon një ligj të tillë, pasi që me këtë mund të shihet kualiteti i arsimit në vend.

Lajme të ngjashme

Back to top button