Analistët: Publikimi i “bombave” po e zhvesh pushtetin

Publikimi i materialeve komprometuese nga ana e opozitës, sipas analistëve, gradualisht po e zhvesh pushtetin nga kredibiliteti, deri në rrënimin përfundimtar të tij. Alajdin Demiri thotë se nëse vazhdohet me këtë strategji, do të jemi dëshmitarë të dorëheqjeve masive të funksionarëve, nën presionin e opinionit publik. Ai vlerëson se zbulimi i mëtejshëm i bisedave do të nxjerr në pah veprime të turpshme dhe të rrezikshme të pushtetit, por edhe të pazareve politike të partive shqiptare me VMRO DPMNE-në, transmeton Alsat-M.

“Në fazën e deritanishme zbulimet që i bëri Zaev janë zbulime të përgjithshme që ti japin vetëdije pushtetit për dorëheqje masive apo shpërbërje të qeverisë. Unë mendoj se nëse vazhdohet me zbulimin e mëtejshëm do dalin gjëra të turpshme dhe rrezikshme për shqiptarët për atë se si kanë marrë pjesë në pushtet si kanë kalicionuar si kanë qenë bisedat e liderëve si kanë vepruar në esencë, sepse, aty nuk ka asnjë proces demokratik sepse aty më tepër janë marrëveshje mes personave që duhet të ndajnë diçka e ajo që ndahet nuk ka lidhje me politikën politik-bërjen por ka lidhje me atë se si do vendosin kapot, në këtë rast pushteti”, tha Alajdin Demiri, analist.

Lidhur me bisedat e publikuara dje, ku dëgjohet tallja e funksionarëve shtetërore pas poshtërimit publik të Ljube Boshkovskit dhe arrestimit të tij, Stojançe Angellov nga partia “Dinjiteti” thotë se është tmerruese sjellja ndaj atij që deri dje e kanë lartësuar të njëjtit njerëz. Ai kërkon hetime ndërkombëtare për këto afera.

“Jam i tmerruar nga ajo që munda ta dëgjoj, jam i tmerruar si luajnë me fate dhe jetë njerëzish. Do të jetë shumë rëndë, flas për hetim mbipartiak dhe objektiv, e zhvilluar jashtë institucioneve aktuale të cilat i udhëheqin njerëzit e përgjuar. Unë nuk mund të pres që ata të cilët i udhëheqin institucionet dhe që i flasin gjithë ato gjëra që i dëgjuam, të zhvillojnë hetime të pavarura”, u shpreh Stojançe Angellov, “Dinjiteti”.

Në bisedat e publikuara dje nga opozita, shefi i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim e paralajmëron arrestimin e Boshkovskit një ditë përpara, ndërsa ditën e arrestimit kërkon nga kryeredaktori i TV Sitellit Dragan Pavlloviq Llatas dhe pronari i Kanal 5, Emil Stojmenov, që përmes televizioneve të tyre të publikojnë pamje sa më poshtëruese nga arrestimi i Boshkovskit./Alsat M/

Lajme të ngjashme

Back to top button