Letër e hapur e intelektualëve shqiptarë: Ndërkombëtarët të izolojnë këtë Qeveri

Një letër e firmosur nga ekspertët Xheladin Murati, Mersel Bilalli, Osman Kadriu, Idriz Kovaçi, Aurora Ndrio Karameti, Sabaudin Zhuta, Afrim Osmani, Flutura Zavalina, Ismail Sinani, Ismet Ramadani, Afrim Gashi, Zeqirija Ibrahimi, Nazif Zejnullahu, Xhelal Neziri, Xhevat Limani dhe rreth 70 intelektual të tjerë dhe persona publik, i është drejtuar opinionit publik dhe ambasadave relevante në Maqedoni. Me këtë letër, intelektualët kërkojnë nga ndërkombëtarët që të mos i japin përkrahje Qeverisë aktuale, pas zbardhjes së telefonatave nga opozita. Në vazhdim ju sjellim letrën e plotë:

“Ne, si intelektualë, apelojmë te subjektet politike të cilët akoma mbajnë gjallë këtë regjim të pashembullt për ambientin evropian, që të mos i japin mëtej mbështetje qoftë direkte apo indirekte një regjimi të udhëhequr nga një grupi familjar, që ka shkaktuar kaos të gjithmbarshëm në çdo fushë. Nuk mund të ketë asnjë argument racional të mbajmë në jetë strukturë që tani më ka privatizuar institucionet në shtet, duke shkelur mbi ligjet, duke nëpërkëmbur lirinë dhe barazinë e njerëzve dhe popujve, duke shkelë mbi dinjitetin njerëzor, duke përdhosur mendimin e lirë dhe informimin dhe duke degraduar ekzistencën njerëzore.

Për shumë vitë kjo arsyetohej me gjoja legjitimitet të fituar në zgjedhje. Por, çdokush e di se nuk jepet legjitimitet për krime marramendëse, për urrejtje dhe përçarje kolektive e individuale, për pasurim të paligjshëm dhe varfërim të skajshëm të popullatës. Nuk jepet legjitimitet për raste të montuara politike, për gjykime të pafajshme, për tragjedi individuale e familjare, për keqpërdorime të institucioneve dhe për grabitje finansiare shekullore. Legjitimiteti jepet për zhvillim dhe përparim të gjithanshëm dhe për funksionim të institucioneve konform ligjit dhe barazisë së njerëzve.

Legjitimiteti i vërtetë meritor fitohet si rezultat i votës që del nga bindja dhe besimi i vërtet i votuesve, e cila më vonë arsyetohet apo kontestohet varësisht nga realizimi i qëllimeve. Mos plotësimi i tyre në vete tërheq humbjen e kredibilitetit moral dhe politik. Madje edhe vet legjitimiteti mbetet i kontestueshëm nëse ai është fituar si rezultat i uzurpimit mediatik,i keqpërdorimit të finansave publike, i keqpërdorimit të institucioneve dhe nacionalizmave.

Ne intelektualët e poshtënënshkruar, kërkojmë nga të gjithë subjektet politike, veçanërisht të atyre shqiptare që të mos ndërmarrin apo tolerojnë asgjë nga ajo që mund të jetë tentim nga kushdo qoftë për të siguruar edhe mëtej sundimin përmes forcës së një grupi familjar, duke uzurpuar shtetin dhe institucionet e tij. Çfarëdo përkrahje e mëtejme këtij grupi, drejtpërdrejtë nënkupton përgjegjësi për hapat e rrezikshme që mund t’i ndërmerr ky grup familjar i cili synon mbështetjen në politikën putiniane”.

Lajme të ngjashme

Back to top button