Po demaskohet fytyra e vërtetë e pushtetit aktual!

Të premten lideri i LSDM-së, Zoran Zaev sërish doli me të dhëna tjera nga përgjimet të cilët tregojnë se si është montuar procesi gjyqësor kundër Lube Boshkovskit.

Për këtë skandal analistët juridik vlerësojnë se është edhe një dëshmi që flet për kontrollin e plotë të institucioneve të shtetit dhe keqpërdorimin e tyre për motive personale dhe partiake.

Analisti juridik Jeton Shasivari thotë për Portalb, se përgjimet të cilat u publikuan së fundi, flasin për cenimin e dinjitetit të njerëzve.

“Kjo situatë flet për thellimin serioz të krizës politike në vend, e cila duhet të zgjidhet me mjete politike. Përmbajtja e asaj që u komunikua dje, flet për shumëçka. Flet për kontrollin e plotë të institucioneve të shtetit dhe keqpërdorimin e tyre për motive personale dhe partiake. Flet për cenimin e dinjitetit të njerëzve. Flet për kontrollin e medieve, dhe shumë situata të tjera çoroditëse”, tha Shasivari.

Ai shtoi se raportet që vijnë vazhdimisht nga BE por edhe konstatimet dhe raportet e SHBA-së për Maqedoninë, flasin për presione të vazhdueshme ndaj gjyqësisë si dhe për cenimin e lirisë mediatike.

“Jo vetëm raportet që vijnë vazhdimisht nga BE por edhe konstatimet dhe raportet e SHBA-së për Maqedoninë, flasin për presione të vazhdueshme ndaj gjyqësisë si dhe për cenimin e lirisë mediatike. Konsideroj se, përmbajtjet e tilla skandaloze, po e demaskojnë fytyrën e vërtetë të pushtetit aktual, dhe katërçipërisht i vërtetojnë raportet evropiane dhe amerikane për gjendjen e mjerueshme të gjyqësisë, të medieve, lirive të njeriut, sigurisë juridike, etj., që si vlera civilizuese duhen sendërtuar në vendin tonë”, shtoi Shasivari.

Sipas Shasivarit, , qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë shkelje masive të kushtetutës, por për momentin nuk ka ndonjë institucion kredibil që të verifikojë juridikisht këtë shkelje.

“Fatkeqësia më e madhe qëndron në faktin se, qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë shkelje masive të kushtetutës, por për momentin nuk ka ndonjë institucion kredibil që të verifikojë juridikisht këtë shkelje në emër të qytetarëve sepse kemi një sistem jofunksional kushtetues i kapur nga disa politikanë që janë në majën e këtij kontrolli shtetëror”, tha Shasivari.

Gjithashtu edhe profesoresha e fakultetit juridik pran UKM-së, Mirjana Najçevska shpreh shqetësim për situatën në vend, duke theksuar se nëse nuk fillon në mënyrë urgjentë hetimi, atëherë nuk kemi shtet.

“Përderisa pas kësaj Prokurori publik në mënyre urgjente nuk fillon hetimin, dhe të involvuarit nuk tërhiqen nga funksioni deri në përfundim të hetimeve, ne nuk kemi shtet”, tha për Portalb, Najçevska.

Ajo shtoi se qytetarët nuk janë të vetëdijshëm se sa janë viktima, si dhe brengoset për distancimin e BE-së nga ky rast.

“Më së shumti më brengos pasiviteti i qytetarëve dhe mungesa e vetëdijes se asnjë institucion nuk funksion dhe se ata janë viktimat më të mëdha.  Gjithashtu nuk më pëlqen  moskokëçarja momentale që tregon Bashkimi Evropian dhe mosdashja që të qëndrojnë në anën e mbrojtjes së vlerave evropiane. Në këtë situatë është e mundur të ndodh një konflikt i mundshëm, nga i cili askush nuk mund të lajë duart”, tha Najçevska.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button