Akoma nuk është gati objekti i ri i gjimnazit në Kërçovë

Kohë më parë filloi ndërtimi i pjesës së re, shtesë, në objektin e gjimnazit në Kërçovë, objekt ky i përbashkët për SHMK “Dritën” dhe SHMK “Mirko Mileskin”. Ndërtimi i kësaj pjese pritej të përfundonte gjatë ditëve të verës dhe një pjesë e nxënësve të fillojë ta ndjekë mësimin në këtë objekt. Por, tani që viti shkollor ka më pak se dhjetë ditë për të filluar, ndërtimi nuk ka përfunduar dhe objekti nuk është gati për mësim.

Drejtori i SHMK “Drita”, Nebi Bilalli, për Portalb-in thotë: “Mësimi nuk mund të fillojë në shtator në objektin e ri. Gjatë shtatorit pritet që të rregullohet interieri, kurse ne shpresojmë që në tetor gjithçka të jetë gati. Afati i paraparë për ndërtim është tejkaluar, por ne besojmë që kjo nuk do të zgjasë edhe shumë.”

Sipas Bilallit, akoma nuk është përcaktuar se cilat paralele do të vendosen në objektin e ri, por duke marrë parasysh rrethanat, të parat që do të vendosen do të jenë paralelet turke. 

“Gjimnazi ka tre paralele turke dhe duke marrë parasysh që ndërtimi i objektit të ri është financuar nga një agjencion turk, me gjasë, të parat që do të vendosen në atë objekt do të jenë tre paralelet turke”, shtoi Bilalli.

Objekti posedon gjithsej 12 salla të reja për mësim.

Ndërtimi i kësaj pjesë shtesë të objektit të gjimnazit të Kërçovës është projekt i Agjencisë për bashkëpunim dhe koordinim, “Tika” nga Turqia, kurse ndërtimin e ka marrë përsipër ndërmarrja “Përparimi” nga Kërçova. Ndërtimi duhej të zgjaste 220 ditë, por afati ka kohë që është tejkaluar. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button