Shkëndija vazhdon me fitore në Antali
Shkëndija ka shënuar fitore bindëse 5:0 përballë anëtarit të Ligës së Dytë të Azerbejxhanit, FC Qaradag, duke regjistruar suksesin e 3-të në takimin e katërt kontrollues në Antali. Vetëm 65 sekonda kanë mjaftuar që përforcimi më i madh i janarit Mohamadou Idrissou të gjejë golin e parë në fanellën e Shkëndijës, kur shfrytëzoi një gabim të portierit kundërshtar dhe solli epërsi 1:0.
Pjesa e parë u dominua nga Shkëndija, por deri në pushim nuk pati ndryshim në rezultat. Pjesën e dytë trajneri Kozniku e nisi me vetëm një ndryshim, duke inkuadruar në lojë Kirovskin në vend të Idrissout. Por para se të vinte rradha për Kirovskin, kroati Vruçina mori gjërat në duart e tij. Fillimisht në minutën e 49-të shënon për 2:0 pasi realizon saktë penaltinë e fituar nga vetë ai pas një fauli në zonë, ndërsa në minutën e 52-të sjell një mjeshtëri të vogël para portës, kur realizon me parabolë të bukur për rezultat 3:0.
Shkëndija humbi disa mundësi të mira shënimi, para se në skenë të dilte Kirovski që ndoqi pak a shumë një ‘skenar’ të Vruçinës. Së pari në minutën e 78-të ndalet me faul në zonë dhe arrin të realizojë nga penaltia për 4:0, ndërsa ‘ironikisht’ edhe goli i dytë i tij do të ishte shumë i ngjashëm me atë të kroatit, pasi mposhti portierin kundërshtar me parabolë, gjithnjë duke i’u falemenderuar ndjekjes së mirë të aksionit dhe gabimit në mbrojtjen kundërshtare. Pak më vonë Kirovski kishte mundësi të shënojë golin e 3-të personal dhe të gjashtin për Shkëndijën pas një aksioni të mirë të Juffos dhe Imerit, mirëpo sulmuesi nga afërsia godet mbi portë.
Deri në fund nuk pati ndryshim dhe Shkëndija mori fitoren e tretë në përgatitjet në Turqi, pas triumfeve kundër kampionit të Turkmenistanit, Altyn Asyr (3:0) dhe Kolkhetit (2:1) të Gjeorgjisë, ndërsa ndërkohë në testin e dytë pësoi disfatë 0:1 nga skuadra hungareze, Pesci.