Kurti: Vetëvendosja nuk lëshon pe

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë në Ferizaj se protesta e së mërkurës do të jetë paqësore.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë në Ferizaj se protesta e së mërkurës do të jetë paqësore e në të cilën do të mbizotërojnë dy kërkesa kryesore, shkarkimi i ministrit Jabllanoviq dhe mbrojtja e Trepçës me një ligj të veçantë, i cili këtë ndërmarrje e bënë publike.

Ai para anëtarësisë së këtij subjekti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk lëshon pe para këtyre dy kërkesave dhe nuk lëshon pe prej protestës si metodë paqësore për realizimin e saj.

“E di që na kanë ofruar dialog në Kuvendin e Republikës, por nuk e kanë pasur asnjëherë seriozisht dhe nuk e patën as sot seriozisht në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit. Ne i kemi pasur dy demonstrata të fuqishme, mirëpo nuk pati seancë të Kuvendit, pra nuk kanë qenë të interesuar të mbajnë seancë të Kuvendit”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, ajo që është më interesante sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, kërkesa për interpelancë e VV -së për çështjen e Jabllanoviqit është dashtë që të rezultoi me një seancë të martën.

“LDK-ja ka kërkuar me kërkesën e vet Isa Mustafës, që të mos mbahet seanca e Kuvendit nesër por të shtyhet për të enjten. Pra, ata po thonë në njërën anë duan dialog e në anën tjetër nuk po donë seancë. Le të shkojmë në seancë të Kuvendit dhe diskutojmë këtë çështje, kështu që sot në mbledhjen e kryesisë është vendosur që çështja Jabllanoviq të diksutohet të enjten e jo të jetë nesër para protestës”, ka thënë Kurti.

Duke u ndërlidhur me kërkesat, Kurti ka thënë se ato janë shumë të drejta.

“Jabllanoviqi është emri i një koncepti të përgjithshëm serbomadh e antishqiptar. Prej Alekasander Kargjorgjeviqit, te Aleksander Rankoviqi, Aleksander Vuçiqi e tash te Aleksander Jabllanoviqi, krejt e kanë qëndrimin e njëjtë antishqiptar e serbomadh. Këta kanë probleme me qenien tonë, këta kanë problem me historinë tonë, kanë problem me pavarësinë tonë, këta kanë problem me autoktoninë tonë, por këto çështje nuk janë të diskutueshme. Dhe tash duhet t’i ndalet hovi një diskursi të tillë i cili synon t’ia shtroj rrugën kthimit të Serbisë për një bosnjizim të fuqishëm të Kosovës “, tha Kurti.

Duke u ndërlidhur me çështjen e Trepçës, lideri i VV-së Albin Kurti, ka vënë në dukje se problemi qëndron në atë se kush po i shfrytëzon resurset jo vetëm të këtij kombinati, por edhe të komplekseve tjera.

“Çështja është se kush po e shfrytëzon. Edhe në kohën e Millosheviqit, toka ka qenë në territor të Kosovës por kush e ka shfrytëzuar. Nuk është puna se në cilin territor është, por nën kontroll të kujt është, në shfrytëzimin e kujt është” ka thënë Kurti.

Ndryshe, Albin Kurti, ka thënë se vazhdimisht po flitet për dhunën e protestuesve, e asnjë fjalë për dhunën policore, e cila ishte planifikuar aty e ndaj të cilës pati reagim të protestuesve.

“Është vështirë me gjet ndonjë protestues i cili me 26 janar një ditë para protestës do të mendonte për të hedhë gurë. Asnjëri nuk ka ardhur me çantë me gurë, kanë marr gurë që kanë gjet nëpër tokë sepse policia armatimin që e kish sjell aty nuk e kish sjell për ta ekspozuar, por për ta përdor. I kanë përzgjedhë aktivistët që t’i rrahin, i kanë rrah dhe në stacion të policisë, por ata kanë me marr prapa pjesë në protestë, se ne as nuk frikësohemi e as nuk nënshtrohemi” ka thënë Kurti.

Lajme të ngjashme

Back to top button