Vazhdon bllokada e transportuesve në Bllacë

Thellohet kriza në mes të Maqedonisë dhe Kosovës, si pasojë e taksës së vendosur nga autoritetet e Maqedonisë për kosovarët që duan të hyjnë në territorin e Maqedonisë, së cilës Qeveria e Kosovës iu përgjigj me bllokimin e hyrjes së mallrave të Maqedonisë në Kosovë.

Nga lajmet e fundit bëhet e ditur se disa kamionë të kompanive transportuese të shoqatës së transportuesve kanë bllokuar kufirin Bllacë, në shenjë revolte ndaj embargos totale të vendosur nga Kosova. Kufiri është bllokuar nga dhjetë kamionë dhe katër autobusë. Një pjesë e tyre ka bllokuar edhe kalimin për udhëtarë dhe automjete.

Biljana Muratovska, sekretare e përgjithshme e shoqatës së transportuesve “MakamTrans”, kamionët e së cilës janë në Bllacë, sot në mëngjes deklaroi se presin sa më shpejtë të fillojnë negociatat ndërmjet institucioneve kompetente të të dyja vendeve, me qëllim të tejkalimit të situatës së krijuar.

Kjo situatë po shkakton edhe pengesa në lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve nga të dy anët e kufirit, të cilët kanë lidhje të shumta familjare, por ka raste edhe kur kalimi bëhet për të kryer shërbime të ndryshme mjekësore në të dyja anët, qoftë në Maqedoni apo në Kosovë.

Në dy ditët e fundit, pas aplikimit të taksës hyrëse për shtetasit e Kosovës, qarkullimi në pikën kufitare të Hanit të Elezit ishte dukshëm i ulët në krahasim me ditët e kaluara. Këtë e pohuan edhe autoritetet kufitare në të dyja anët e kufirit Maqedoni-Kosovë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button