Nimetz në Shkup, Gruevski hapi shkollë me emrin Aleksandar Makedonski

Ndërmjetësi i OKB-së për emrin, Matthew Nimetz viziton sot Shkupin, në një përpjekje të re për afrimin e palëve drejt një zgjidhje për kontestin e emrit të Maqedonisë.

Mediat greke paralajmëruan se Nimetz nuk do të sjellë asnjë propozim të ri për emrin dhe se mbetet pas propozimit të fundit Republika e Epërme e Maqedonisë. Por, ky propozim që në fillim disa muaj më parë u hodh poshtë si i papranueshëm nga pala greke.

Kryeministri Nikolla Gruevski para vizitës theksoi se shpreson se kësaj radhe do të lëviz procesi për zgjidhjen e emrit. Por, gazeta greke Ethnos ka vënë në spikamë faktin se para vizitës së Nimetz, Gruevski ka hapur një shkollë me emrin “Aleksandar Makedonski” si provokim të radhës për grekët.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka theksuar se për shqiptarët në Maqedoni janë të pranueshme propozimet Republika e Epërme apo Veriore e Maqedonisë.

Mediat greke gjithashtu shkruajnë se Nimetz ka kërkuar të vazhdohen bisedimet mes dy vendeve.

“Nuk janë negociata të lehta dhe mendoj se të dyja palët duhet ti kuptojnë plotësisht qëndrimet e njëra tjetrës pastaj të vazhdojmë më tej” ka thënë Nimetz pas takimit me autoritetet greke./Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button