Edi Paloka, kryetar i Grupit parlamentar të PD-së

Parlamentarët demokratë kanë zgjedhur Edi Palokën kryetar të grupit të partisë dhe Eduard Halimin si nënkryetar të grupit.

Në mbledhjen e grupit, e para kjo për këtë sesion parlamentar, është zgjedhur edhe zëdhënësja e grupit Jorida Tabaku dhe sekretari Gent Strazimiri, ndërsa është propozuar për nënkryetar të Parlamentit Edmond Spaho, raporton oranews.

Në fjalën e tij të mbajtur në mbledhjen e grupit, kryetari i PD-së Lulzim Basha ka vlerësuar punën e bërë në këto 8 vjet nga qeveria e djathtë me në krye kryeministrin Sali Berisha.

Basha ka përmendur disa nga reformat e bëra gjatë qeverisjes së djathtë si anëtarësimi në NATO, MSA dhe rrugën që ka bërë Shqipëria drejt Bashkimit Europian.

“Qeveria Berisha është dhe do të mbetet një histori e pakrahasueshme suksesi. Ata që kanë ardhur sot në pushtet do të duhet t`i bëjnë llogaritë dhe bilancin e saj. Jam krenar që kam qenë pjesë e kësaj qeverie” tha Basha.

Basha theksoi se mazhoranca e sotme do të ketë përballë një opozitë të fortë, moderne dhe institucionale e cila do të jetë një kontrolluese e përditshme e akteve të qeverisë dhe verifikuese e premtimeve të saj.

“Ne nuk do të jemi një opozitë akademike por opozita jonë do të jetë popullore dhe publike. Deputetët tanë do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me zgjedhësit. Grupi ynë parlamentar do të jetë në çdo seancë zëri i drejtë dhe i paanshëm i opozitës në Parlament” shtoi Basha.

Ndërsa u kërkoi deputetëve demokratë të jenë pararoja e një opozite të fortë në Kuvend dhe jashtë tij, Basha ka akuzuar mazhorancën e sotme për vjedhje e blerje votash si dhe për tjetërsim të rezultatit të zgjedhjeve.

“Vijmë nga një përvojë e çmuar dhe i kemi potencialet të bëjmë opozitën më efikase që ka njohur vendi. Ne e dimë që rrotacioni është atribut i jetëdhënies së demokracisë. Ne shpalosëm vlerat e kalimit të rregullt dhe të përgjegjshëm të pushtetit. Ne nuk do të lejojmë gënjeshtrën elektorale, kush tërhiqet nga mbajtja e premtimeve do të përballet me pasojat” shtoi Basha

Basha gjithashtu ka garantuar se opozita e sotme nuk do të jetë destruktive por një opozitë bashkëpunuese për çështjet e rëndësishme të vendit.

Sipas tij opozita e sotme nuk do të jetë ajo e baltës, shpifjeve, bllokimit dhe dhunës verbale, por një opozitë e fortë e fakteve.

Lajme të ngjashme

Back to top button