99 vjet nga vrasja e Isa Boletinit, ende nuk është bërë rivarrimi i eshtrave
Më 23 janar të vitit 1916, u vra Isa Boletini. I lindur në fshatin Boletin të Mitrovicës, qysh në moshën 17-vjeçare mori pjesë si luftëtar, dhe u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halili dhe Zahidi, nipërit Jonuz dhe Halit, si dhe tre luftëtarë të tjerë.
“Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia”, Isa Boletini.
Mbetjet mortore të Isa Boletinit dhe të bashkëluftëtarëve të tij, në korrik të vitit 2011 iu dorëzuan Komunës së Mitrovicës. Ato ia dorëzoi imami i kësaj komune, Mulla Asllan Murati, i cili 13 vjet pas rivarrimit nga Podgorica i ruajti në një vend të fshehur.
Me rastin e dorëzimit për herë të parë kishte bërë të ditur vendin se ku i kishte fshehur dhe ruajtur ato.
Ai kishte zbuluar se eshtrat ishin varrosur asokohe në oborrin e xhamisë së Haxhi Veselit në Mitrovicë. Pas luftës i kishte rivarrosur në oborrin e shtëpisë së tij.
Kthimin e eshtrave të heroit kombëtar dhe bashkëluftëtarëve të tij më 1998 e kishin iniciuar akademik Pajazit Nushi, ndërkohë që kontribut të çmuar kishin dhënë ish-presidenti Ibrahim Rugova, Latif Berisha, Muhamet Shukriu, Remzi Murati dhe Fetah Hasani.
Ndryshe, për rivarrimin e eshtrave të tij tashmë ekziston një Këshilli Organizativ, i kryesuar nga ministri i FSK-së, Haki Demolli.
Pas shumë datave që u folën se do bëhet rivarrimi i tyre, në fund është thënë se kjo do të bëhet më 30 qershor të këtij viti./Indeksonline/