Nga 2000 euro borxh për kokë banori

Maqedonia me tërheqjen e parave nëpërmjet kredive nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe institucionet e huaja bankare është shndërruar si një nga vendet e rajonit me borxh më të lartë. Të dhënat e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë përfundimisht me muajin nëntor të vitit të kaluar tregojnë se borxhi i jashtëm i Maqedonisë ka arritur në  3.888.400.000 euro, apo 45.5 për qind. Shteti nga institucionet e huaja financiare ka marrë borxh në vlerë prej 2.713.900.000 euro, kurse nga bankat komerciale në vend 1.174.400.000 euro. Shikuar sipas viteve, nga viti 2009 kur borxhi publik kishte shifrën prej 1.59.200.000 euro, në vitin 2014 ky borxh trefishohet duke arritur shifrën në rreth 4 miliardë euro. Akumulimi i borxhit publik të shtetit ndër vite njehërit ka rritur edhe borxhin për kokë banori, kështu që në raport me numrin e popullsisë në Maqedoni prej 2.107.000 banorë, del se çdo banorë ka rreth 2000 euro borxh ndaj institucioneve të huaja financiare dhe atyre vendore, shkruan Koha.

Ndërkaq, Sipas strategjisë për kthimin e huave të huaja shteti deri në fund të këtij viti duhet të kthejë borxh në vlerë prej 425 milionë euro, prej të cilëve 325 milionë euro ndaj institucioneve të huaja financiare dhe 100 milionë euro ndaj institucioneve financiare vendore. Vetëm për kamata duhet të paguhen 97 milionë euro. Pikërisht për të siguruar në kohë kthimin e një pjese të borxhit publik të huazuar më parë, Qeveria vitin që lamë masë lëshoi në shitje euro obligacionin në vlerë prej 500 milionë euro.

Ndërkaq sipas ekspertëve ekonomik borxhi publik mund të jetë shumë më i lartë se sa zyrtarisht që e paraqet BPM-ja pasi këtu nuk përfshihen edhe borxhet e komunave.

Lajme të ngjashme

Back to top button