KE: Nuk kërkuam nga Qeveria juaj ligj për media

Pasi që në publik Qeveria dhe disa media proklamojnë se ligji i ri për media është propozim i Bashkimit Evropian, Komisioni evropian doli me sqarim se  nuk është e vërtetë që Brukseli ka kërkuar ligj të tillë por atë e bën vet Qeveria.

KE sqaron se përgatitja e legjislacionit të ri për media, që do ta zëvendësojë ligjin ekzistues për veprimtari radiodifuzive, nisi në vitin 2011, si nismë e Qeverisë, dhe nuk është kërkesë e Komisionit Evropian.

“Garantimi i lirisë së shprehjes dhe të drejtave tjera fundamentale është kusht për një vend për t’iu bashkangjitur BE-së, por për atë se kur dhe si saktësisht do të reformohet legjislacioni për media në vend vendosin autoritetet kombëtare dhe aktorë tjerë”, thuhet në kumtesën e Delegacionit të BE-së në Shkup në emër të Komisionit Evropian.

Lidhur me procesin e miratimit të ligjeve, Komisioni Evropian thotë se qëndrimi i tyre çdoherë ka qenë shumë i qartë se qeveria duhet të ofrojë kohë të mjaftueshme për t’u siguruar se ligjet e propozuara janë në pajtim me standardet evropiane dhe praktikat më të mira, ndërsa konsultimet me të gjitha palët e rëndësishme të jenë sa më gjithëpërfshirës që të jetë e mundur.

“Krahas këtyre ligjeve, raporti i radhës vjetor i Komisionit Evropian do të vlerësojë edhe çështje të tjera  të rëndësishme lidhur me ambientin e medias në vend”, thuhet në kumtesën e Komisionit Evropian.

KE përkujton se BE për pjesën e ligjit të propozuar në të cilin implementohet Direktiva evropian për shërbimet audiovizive, qeverisë i ka siguruar ekspertizë të pavarur gjatë tre viteve të kaluara.

Analistët thonë se më këtë veprim rrezikojmë ta humbasim rekomandimin për çeljen e negociatave me BE-në.

“Kumtesa e BE-së e cila theksoi qartë se ata nuk kërkojnë ligj për media dhe apelojnë që të merrem parasysh rekomandimet që jepen është një shenjë se ne rrezikojmë të humbim rekomandimin. Pra nuk ka gatishmëri për t’i dëgjuar mesazhet që vijnë edhe nga brenda edhe nga jashtë, dhe gjithë punët merren me inat. Në kushte kur nuk duhet as zgjidhja e çështjes së emrit edhe pse paralajmëron nisma të reja. Nuk mund të jemi optimist në këtë periudhë përpara publikimit të raportit”  thotë për Alsat-M, Malinka Jordanova nga Instituti për politikë evropiane. /PORTALB

Lajme të ngjashme

Back to top button