Goli i Kaçes bën xhiron e Greqisë (Video)

Goli i Ergys Kaçes në miqësoren Shqipëri-Armeni ka bërë xhiron e Greqisë dje. Të gjitha mediat helene, aq më tepër uebsajtet sportive, gazetat dhe televizionet, kanë folur për supergolin e shënuar nga mesfushori në ndeshjen e tij të dytë me fanellën kuqezi. “Një gol i rrallë”,

“Kaçe mahnit, shënon një supergol”, “Ergysi, tani një ‘as’ te Shqipëria”. Kanë qenë këto disa nga titujt e mediave greke për paraqitjen e korçarit të PAOK-ut në miqësoren e fundit.

E përditshmja prestigjioze helene “Sport Day” nxiton ta quajë Kaçen “asin” e Shqipërisë. “Ka shënuar një gol të rrallë, por që nuk është hera e parë që e bën nga të tilla pozicione. Kujtoni ndeshjen ndaj Panioniosit në kampionat. Trajneri Stivens me siguri do të jetë mahnitur nga paraqitja e djaloshit shqiptar”, shkruante dje ndër të tjera gazeta greke.

Ueb-faqja sportive “gazzetta.gr” gjithashtu fliste me sueprlativa për talentin shqiptar. “Gol shumë i bukur. Vetëm dy ndeshje me fanellën e Kombëtares së Shqipërisë dhe Kaçe shndërrohet në hero. PAOK-u ka në gjirin e vet një supertalent”, thuhej në shkrimin dedikuar paraqitjes së korçarit në miqësoren kundër Armenisë.

Ndërkaq, pas ndeshjes, vetë mesfushori foli ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke pranuar se nuk e priste të shënonte nga ai pozicion. “Jam shumë i gëzuar për golin. Të them të drejtën nuk e prisja të shënoja, sepse sa u futa në fushë dhe ishte gjëja e fundit që mund të mendoja. Megjithatë, futbolli kështu e ka, sepse ndonjëherë në atë moment kur nuk e pret, mund të bësh gjëra të mëdha. Unë luftoja për topin, por m’u krijua hapësira dhe nuk u mendova shumë, duke gjuajtur drejt e në portë”, tha Kaçe.

Lajme të ngjashme

Back to top button