Lihet i lirë shqiptari i “Agimit të Artë”

Anëtari i organizatës ekstremiste greke “Agimi i Artë”, Robert Hajdhi, i ndaluar dy ditë më parë në Qafë-Botë është lënë i lirë pasi marrjes në pyetje nga policia.

Rreth mesnatës së kaluar ai mësohet të ketë lënë ambientet e Komisariatit të Sarandës, ku u pyet për incidentin e së dielës së kaluar në Himarë, ku u lëshuan thirrje antishqiptare dhe që cenonin rendin kushtetues. Nuk dihet ende se, çfarë ka deklaruar Hajdhi, i cili ishte i pranishëm në aktivitetin në kuadër të 3-vjetorit të vdekjes së shtetasit Aristotel Guma.

Policia e Vlorës, ka bërë të ditur se, për thirrjet antishqiptare të eksponentëve të “Agimit të Artë”, do të ketë disa të arrestuar, shqiptarë dhe grekë. Në një njoftim për shtyp, Policia e Vlorës theksoi se, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes në Himarë, me rastin e 3-vjetorit së vdekjes se Aristotel Gumës, i vrarë në një aksident automobilistik.

Arrestimi i Hajdhit u bë në pikën kufitare të Qafë-Botës në Sarandë. Sipas policisë, Hajdhi ka qenë i pranishëm gjatë ceremonisë që “Agimi i Artë”, kreu në varrezat e Himarës për Gumën, nga ku u bënë edhe shumë akte kundër shqiptarëve. Policia konfirmon se Robert Hajdhi, në momentin kur u arrestua, mbante veshur edhe një bluzë me simbolet e partisë neonaziste, “Agimi i Artë”. Në Lukovë, ai ka në pronësi një Hotel. Roberti është shtetas shqiptar dhe është larguar në Greqi pas vitit 1992.

Gjatë përkujtimores së Gumës në varrezat e Himarës, përfaqësues të partisë naziste greke, “Agimi i Artë” mbajtën dhe një fjalim të ashpër kundër shqiptarëve, si edhe dhunuan disa gazetarë edhe kameramanë, të cilët u përpoqën që të filmonin ngjarjen. Një nga eksponentët e “Agimit të Artë”, Kristoforos Tsankas deklaroi mbi varrin e të ndjerit Guma, se do të luftohej deri në fund për çlirimin e Himarës. “Agimi i Artë” betohet se do të vazhdojë luftën deri në ditën e çlirimit të Himarës”, pati deklaruar ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button