Lëvizjet e reja presin ndryshime, shqiptarët të flakin injorancën e BDI-së dhe PDSH-së

Lëvizjet e reja politike shqiptare, “Besa” dhe Lëvizja për reforma në PDSH paralajmërojnë një vit me indolencë dhe injorancë të plotë politike të shoqëruar edhe me mungesën e stabilitetit dhe progresit ekonomik falë aktorëve të vjetër, tashmë të unifikuar të BDI-së dhe PDSH-së , që ngrihen kundër secilit subjekt tjetër që është në interes të mbrojtjes së vlerave shqiptare.

Sipas tyre dy subjekteve shqiptare në vend u shihet fundi, ndërsa ajo që vjen si shpresë e madhe për ndryshim ndjehet në “ajër” se është duke ardhur.

Kryesuesi i Lëvizjes për reforma në PDSH Ziadin Sela, thotë për Portalb se pritshmëritë janë të mëdha si çdo qytetarë. Sipas tij themeli i të besuarit është shpresa. Megjithatë sipas Selës, qytetarët  e Maqedonisë nuk duhet të shpresojnë se fundi i 2015 do t’i gjejë më afër NATO-s dhe BE-së dhe për pasojë nuk mund të pretendojnë të kenë më shumë siguri, stabilitet apo progres ekonomik.

Sipas Ziadin Selës, dihen shkaqet. Në vitin 2014 ata zgjodhën të vjetrën dhe nuk mund të pretendohet në risi dhe shpresë për më të mirë me të njëjtët aktorë politik dhe koncepte politike të njëmendësisë së vjetër.

“Viti 2015 shqiptarët në përgjithësi do t’i gjej më të konsoliduar, falë forcimit të kapaciteteve institucionale dhe të marrjes së rolit lider në rajon të shtetit shqiptarë. Shqiptarët në Maqedoni si pjesë e këtij faktorizimi gjithë shqiptare rajonal, do të flakin të vjetrën dhe joporudktiven në politik bërjen shqiptare gjatë vitit 2015. Ky vit do të jetë vit i ndryshimeve të mëdha në rajon dhe vit i ndryshimeve të mëdha politike në Maqedoni”, thotë Ziadin Sela.

Afrim Gashi i Lëvizjes Besa thotë për Portalb se nuk është shumë e pëlqyeshme që të parashikoni rrjedha politike në një vend me kaq shumë turbulenca, megjithatë disa gjëra mund të para ndjehen.

Ajo që është në vigjilje dhe që ka filluar të kundërmojë më së shumti vihet në korrelacion me bombat e paralajmëruara të kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, por edhe nga mos prezenca e tyre në Kuvend, gjë që e rëndon edhe më shumë gjendjen politike në vend. Trysnia politike nga faktori ndërkombëtar po duket të jetë në rritje e sipër dhe kur e shtoni këtu edhe rritjen e borxhit publik dhe të jashtëm të vendit, por edhe rritjen e varfërisë dhe uljen drastike të standardit jetësor, na bën të kolaudojmë se ditët e rënda dhe të këqija do na shpeshtohen dhe do të shndërrohen në përditshmëri gjatë këtij viti”, thotë Gashi.

Gashi thotë se edhe pse të gjithë këta parametra flasin për një gjendje shumë të rënduar, pozicionimi dhe sjellja e subjekteve politike qeveritare nuk na jep të drejtë të mendojmë se këto fakte mund ta shqetësojnë koalicionin qeverisës për të ndërmarrë diçka në favor të ndryshimit të kësaj situate. Por, megjithatë nëse “bombat” politike do të jenë aq të fuqishme sa po paralajmërohen, kam bindje se mund të ndodhin ndryshime tektonike në skenën politike në Maqedoni.

“Këto ndryshime mund të sjellin një qeveri ekspertësh e cila duhet ta përgatitë terrenin për organizimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike në vend. Por, një qeveri e zgjeruar me të gjitha subjektet më të mëdha politike parlamentare mund të hyjë në kombinime edhe për ndryshim e emrit të shtetit. Nëse gjithçka zhvillohet sipas një skenari të tillë, më pas mund të presim edhe zgjedhje dhe deri në fund të vitit ndoshta edhe qeveri të re. Megjithatë, të gjithë indikatorët nuk japin shumë shpresë se 2015-ta mund të jetë vit i mirë për qytetarët e këtij vendi. Më e shumta që mund të presim është që ky vit të jetë një fillim për një ndryshim të madh. Dhe, ky mbase mund të jetë lajmi më i mirë i vitit të ri”, thotë Afrim Gashi.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Ishalla bashkohen njeher shqiptaret edhe vendosin per fatin e vet se keshtu si eshte nuk shkon më

Back to top button