Viti i Ri i gjen në tendë në ditën e 219-të grevë

Derisa shumica e qytetarëve po i bëjnë përgatitjet për kremtimin e ndërrimit të moteve, punëtorët e fabrikës së tubave nga Ferizaj mendojnë se si do ta kalojnë edhe një natë më shumë acarin nga temperaturat deri në minus 18 gradë celsius, raporton KTV. Ata shprehen të dëshpëruar me trajtimin që u është bërë nga institucionet, por thonë se do t’i zërë edhe bora e vitit që vjen e ata nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.

Është dita e 219-të që këta qytetarë të Kosovës tendën e kanë shtëpi.

Festat për ta mbeten vetëm data në kalendar, derisa ngrihen nga acari i këtij fundviti.

Ndërrimi i moteve, punëtorët grevistë të Fabrikës së Tubave të Çelikut do t’i gjejë në po këtë tendë, vetëm pak metra larg Qeverisë dhe Kuvendit, e me kilometra larg familjarëve të tyre.

Ata, që prej më shumë se 7 muajsh janë harrur nga institucionet, e morën lajmin më të keq, ikjen nga jeta të njërit prej grevistëve që kohë më parë ishte larguar nga tenda, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Ata që tashmë kanë mbetur 10 nga 45, sa kishin nisur grevën në majin e këtij viti, thonë ta kenë tejet të vështirë për t’i kaluar ditët e ftohta në tendë, derisa tash u janë ndalur edhe ndihmat nga ata që i kishin ndihmuar deri tash.

Mezi përmbahen nga emocionet kur flasin për ndërrimin e moteve që do të jenë larg familjarëve të tyre, e më të rëndë ende e bën fakti se shumica prej familjarëve të dëshpëruar kanë marrë rrugët e perëndimit.

Ata shprehen të dëshpëruar edhe me qeverisjen e re të Isa Mustafës dhe kreun e ri të Kuvendit, për të cilët thonë se prej ditës që janë zgjedhur nuk u kanë trokitur në derë, e as nuk i kanë pranuar në zyrë, pavarësisht kërkesës zyrtare që grevistët u kanë bërë.

Me këmbëngulje thonë se pavarësisht të ftohtit dhe acarit, do të vazhdojnë të qëndrojnë në tendë edhe nëse do t’i zërë bora e vitit të ardhshëm, deri në realizimin e kërkesave të tyre, që është përfitimi i rreth 26 milionë eurove, të drejtë që e kanë fituar edhe në Gjykatën Kushtetuese, por kjo kërkesë e tyre nuk do të mund të realizohet deri në kompletimin e Bordit të AKP-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button