Nënshkruesit pro provimit shtetëror, dy shqiptarë dhe pak profesorë

Një grup prej rreth 200 personash kanë firmosur iniciativën qytetare për përkrahje të reformave për arsim të lartë dhe vendosjen e provimit shtetëror për studentët. Edhe pse disa media në gjuhën maqedonase, letrën e hapur e prezantuan si deklaratë të firmosur nga profesorë universitar, mes emrave që kanë vënë firmën ka vetëm ca profesorë të rregullt, ndërsa të tjerët janë asistentë, profesorë të jashtëm, madje edhe administratorë nëpër fakultete. Kjo doli në pah duke gjurmuar dy emrat e vetëm shqiptarë që kanë firmosur deklaratën për përkrahjen e reformave, shkruan Alsat-M. Përderisa për njërën, Vjollca Alijin nuk arritëm të gjenim asnjë informatë rreth karrierës së saj në institucionet arsimore, shqiptari tjetër që ka firmosur deklaratën është Erkan Ballazhi, i punësuar në administratën e Universitetit për Turizëm dhe Menaxhment. Ai thotë se ka qenë vendim i universitetit që të gjithë të punësuarit të firmosin përkrahjen për vendosjen e provimit shtetëror dhe reformat e tjera në arsimin e lartë. Alsat M tentoi të kontaktojë rektorin e Universitetit për Turizëm dhe Menaxhment Ace Milenkovski, por pa sukses.

Përveç administratorëve të universiteteve të ndryshëm, listën e kanë firmosur edhe ligjërues tashmë të pensionuar, dhe persona që nuk kanë të bëjnë me arsimin, shumë prej tyre anëtarë të VMRO DPMNE-së. Madje pak orë pas publikimit, njëri prej profesorëve, emri i të cilit figuronte në listë, në profilin e tij në Facebook kishte shkruar se nuk ka firmosur asnjë lloj deklaratë ose letre të hapur lidhur me reformat në arsim. Për dallim prej kësaj iniciative për përkrahjen e provimit shtetëror, në Plenumin e Profesorëve i cili kundërshton reformat në arsimin e lartë, bëjnë pjesë 300 profesorë universitarë të angazhuar me orar të plotë pune në universitete. Ata u mblodhën të hënën para Kuvendit për ti bërë thirrje deputetëve të mos votonin reformat për arsim, por pavarësisht protestës, propozim ligjet kaluan filtrin e parë në Kuvend me 71 vota deputetësh. Ligjet duhet miratuar më 8 janar, kur shtrohen para deputetëve në lexim të dytë.

Lajme të ngjashme

Back to top button