Sonte e presim Vitin e Ri 2015

Qindra miliona njerëz në botë sonte në sheshet e qyteteve të tyre, në qendrat turistike, në kafene, restorante, pabe,… apo në atmosferë familjare, do ta përcjellin vitin 2014 dhe do ta presin Vitin e Ri 2015.

Sipas shembullit të metropoleve botërore, nata më e hareshme do të pritet edhe në sheshin “Pella” në Shkup, si dhe në qytetet e tjera në vend.

Shkupjanët do t’i argëtojnë këngëtari i njohur shqiptar, Mustafa Imeri si dhe këngëtarë të tjerë nga Maqedonia, si Dani, Maja Pançeva, Erik dhe Simona, Esma, Suzana Spasovska, Naum Petrevski, Daniell Kajmakovski dhe Kuku Lele, ndërsa Vitin e Ri 2015 do ta presin me këngët e Elena Ristevskës.

Koncerti i Vitit të Ri do të fillojë në orën 21 dhe duhet të zgjasë deri në orët e hershme të mëngjesit.

Saktë në mesnatë, qielli mbi Shkup do të ndriçohet nga fishekzjarret spektakolare.

Saktë në mesditë para Portës Maqedonia do të arrijë Plaku i Vitit të Ri për më të vegjlit, ku do të jepet një shfaqje për fëmijë, ndërsa do të interpretojë edhe kori “Bilbili i artë”.

Bredhi i Vitit të Ri këtë vit, në ngjyrë të bardhë, është vendosur në sheshin “Pella”, ndërsa rrugët janë zbukuruar me ornamente të Vitit të Ri.

Lajme të ngjashme

Back to top button