Një anije tjetër me qindra imigrantë sirianë jep sinjalin SOS. Mediat: Ekuipazhi braktisi mjetin

Pa u mbyllur ende tragjedia dhe tmerri i tragetit “Norman Atlantic”, një tjetër alarm SOS është marrë nga Korfuzi. Sipas mediave greke, anija “Blue Sky M” me në bord rreth 700 persona, ndodhet në rrezik dhe ka dhënë sinjalin për ndihmë 3 milje në perëndim të ishullit grek Otos. Drejt anijes është nisur një luftanije e marinës, pasi pasagjerët që kanë kërkuar ndihmë kanë pohuar se në anije ka persona të armatosur. Anija me flamur moldav është nisur nga Turqia me destinacion Kroacinë, por mbrëmë ka bërë një ndalesë në ishullin grek të Lefkadës, ku dyshohet se është marrë me forcë nga trafikantë të armatosur.

Kryetari i Bashkisë së Korfuzit, Costas Nikoluzos deklaroi se në anijen që gjendet në vështirësi përgjatë ishullit grek ndodhen imigrantë sirianë, njoftoi faqja greke e internetit Zougla.gr. Mësohet se një fregatë dhe një helikopter i marinës luftarake greke si dhe dy patrulla të policisë së portit mbërritën në vend për të shpëtuar anijen ‘Blue Sky M’ me flamur moldav. Sipas medias greke, rreth 400 imigrantë si dhe një numër personash të armatosur ndodheshin në bordin e anijes, por policia portuale greke nuk e ka konfirmuar ende këtë informacion.

MEDIAT: EKUIPAZHI BRAKTISI ANIJEN

Sipas mediave italiane, anija me flamur moldav është drejtuar drejt brigjeve të Puglias, dhe aktualisht ndodhet rreth 26 milje larg bregut të Santa Maria di Leuca. Por sipas informacioneve të fundit ekuipazhi i anijes “Blu Sky M” ka braktisur mjetin, duke shfrytëzuar disa varka./ BalkanWeb

Lajme të ngjashme

Back to top button