Emrat pa fytyrë

Është vërtetë për të ardhur keq se deri në çfarë mase ka bastarduar gazetaria e portaleve të ditëve të sodit. Gjithë respektin ndaj atyre gazetarëve dhe portaleve që me mund, nder e profesionalizëm e kryejnë detyrën e tyre për të informuar publikun. Por kohëve të fundit jemi dëshmitarë që në shoqërinë tonë po ndodh një fenomen i pa precedent, kur individë anonimë, keqpërdorin në mënyrën më të paskrupullt të drejtën e tyre për të shprehur mendimin e tyre të lirë. Me emra të rrejshëm, përpiqen të plasojnë gënjeshtrat e tyre si të vërteta.

Përpjekjet për të krijuar një opinion publik duke kritikuar ndonjë individ bazuar në të dhëna të rrejshme, është një vepër e dënueshme me ligj. E vetmja mënyrë për ti ikur përgjegjësisë që mbart fjala ofenduese e plasuar në opinion dhe gënjeshtra, është të mbulohet me një gënjeshtër tjetër më të madhe: të fshehësh emrin. Një veprim qyqar. Një veprim që e bëjnë ata qyqarët që hedhin gurin dhe e fshehin dorën. Dikur këta “anonimusa” nuk kishin ku ti botonin shkrimet e tyre të sëmura, por tani kanë gjetur ilaçin në disa portale të dyshimta, që janë të gatshëm për pjesëmarrje në krim. Po them krim, se asnjë vend i botës nuk amniston gënjeshtrën e plasuar në publik, aq më pak, kur kjo gënjeshtër ka për qëllim njollosjen e ndonjë zyrtari, personaliteti publik, apo individi të rëndomtë. Shpifja është krim,e ajo dënohet në çdo vend të Botës të civilizuar madje edhe asaj të pa civilizuar. E krimet e tilla ndër ne po ndodhin thuajse çdo ditë.

Rasti më i fundit është tendenca e një farë Fisnik Xheladini – emër pa fytyrë, për ta njollosur figurën e Kreut të Bashkësisë Fetare Islame H. Sulejman ef. Rexhepit, me shkrimin e tij plot shpifje “Kreu i BFI-së në rolin e Babadimrit”, duke përdorur një gjuhë plot mllef që të ngjan me gjuhën e një pacienti të çmendinës, i cili sapo ka marrë ilaçin kundër tërbimit. Ai Emri pa Fytyrë pra, akuzon kreun e BFI-së se shpërndan ndihma për të varfrit në prag të Vitit të Ri. Madje këtë gjë e paska pa rastësisht në televizion dhe reagimi i tij paska ardhur shumë spontanisht…  Kështu e fillon ai shpifjen e tij…  Por po t’ia hapësh faqen e tij personale në FB del se ai në atë faqe nuk ka asgjë tjetër, absolutisht asgjë, përveç  Sulejman Rexhepit, që na jep të kuptojmë se kemi të bëjmë me një rast patologjik të skizofrenisë, me të cilin vërtetë nuk do të ishte e nevojshme të merreshim.
Por për hir të vërtetës dhe shqetësimit për atë se kujt po u hapen faqet e portaleve, duhet reaguar.
Fillimisht, ky emri pa fytyrë duket se ka shumë njohuri për BFI-në, por ato i përdor për ta dëmtuar dhe përçarë popullatën muslimane, në kohën kur kreu I BFI-së Sulejman Rexhepi po sulmohet gati çdo ditë nga mediumet sllave proqeveritare, për shkak të qëndrimeve të tij mjaft të guximshme dhe hapjen e shumë çështjeve që as politikanët në vend nuk kanë guxim ti hapin, tash e 20 vite.

Së dyti, kur do ta kupton ky far emri pa fytyrë se popullata muslimane është më e varfra në vendin tonë. Nëse ai e ka zgjidhur problemin e tij ekzistencial nga shërbimet e ndryshme, atëherë të mos harron se  Shkupi me rrethinë ka qindra familje të cilat nuk kanë asfare të ardhurash. Çdo ndihmë për ta është e mirë se ardhur e nuk ka aspak rëndësi nëse është 1 janari, 1 gushti apo ndonjë datë tjetër ë rëndomtë apo e shënuar.

Bashkësia Fetare Islame me Organizatën e Humanitare Hilal ka bashkëpunim me donatorë të ndryshëm të cilët në agjendën e tyre e kanë edhe veprimtarinë humanitare. Pra kompani që një pjesë të përfitimeve të tyre e japin për shtresat e varfra. Ato kompani vendosin për kohën e shpërndarjes të këtyre ndihmave, ndërsa OH Hilal bën shërbim në formën e shpërndarjes së atyre ndihmave,siç ishte rasti më i fundit me shpërndarjen e ndihmave të dhuruara nga EVN.
Për BFI-në më shumë rëndësi ka që ato ndihma të merren nga besimtarët që kanë vërtetë nevojë për to në këto ditë të ftohta dimri, se sa mendimi i emrave pa fytyrë që duan ta përziejnë detin me lugë, apo të cilët ndoshta vërtetë e kanë për detyrë të merren me BFI.
Sidoqoftë, portalet që u hapin derën emrave pafytyrë, kanë një obligim mbi të gjitha moral, që të mos lejojnë që të identifikohen me shpifjet, apo të bëhen pjesë e tyre.

Shërbimi për informim pranë BFI

Lajme të ngjashme

Back to top button