Shqiptarët besuan te qeveritarët e tyre vetëm pse ishin shqiptarë

Duke e shikuar pjesën e dytë të filmit “Dawn of the Planet of the Apes”, i cili u realizua këtë vit, vërejta diçka interesante dhe shumë domethënëse. Gjatë filmit, unë pashë një mesazh i cili përkon shumë me fenomenet e jetës reale. Ajo që më la përshtypje ne atë film, ishte pjesa kur Cezari i cili konsiderohej si mbreti i majmunëve, u tradhëtua nga një mik i tij i cili ishte poashtu majmun. Dhe kur ai u bashkua me njerëzit, ndjeu keqardhje se si e tradhëtoi miku i tij majmun dhe fakti që njerëzit ishin ata që po e ndihmonin atë, ai më pas tha “i besova atij vetëm pse ishte majmun”.

Çfarë nënkuptojmë nga kjo nëse e ndërlidhim me problemet sociale të sotme, veçanërisht tensionet ndëretnike?

Kjo paraqet argumentin krucial pse shqiptarët e Maqedonisë vite me rradhë vetëm ankohen nga përfaqësuesit e tyre, te të cilët krijuan simpati vetëm pse ishin shqiptarë.

Kjo ndodhi edhe te maqedonasit, por edhe te komunitetet e tjera, të cilët votën e tyre e bazuan në përkatësinë e tyre etnike të kandidatëve, të cilët kishin marrë rrugën për të qenë personi që do t’i përfaqëson ata. Gjatë çdo zgjedhje, ekzistonte “lufta” dhe bindja te populli i thjesht maqedonas dhe shqiptar, se “ne tani do ta votojmë shqiptarin dhe do ta mundim maqedonin” apo dhe anasjelltas.

Kjo bindje, ka sjellur regrese të shumta historikisht, që nga koha e shpikjes së nacionalizmit. Për shembull, popujt e ndryshëm që ishin nën sundimin e një pushteti të një përkatësie tjetër etnike, mendonin se me largimin e tyre do t’i regullonin problemet. Ky botëkuptim që dominon te qytetarët e Maqedonisë, po krijon vetëm koklavitje dhe aspak zgjidhje. Klasifikimi njerëzve bëhet në mënyrë iracionale. Për shqiptarët ndodhte që të besojnë se ministrat e tyre maqedonas nuk janë të mirë vetëm pse janë maqedonas, ndërsa për ministrat shqiptarë si Talat Xhaferi, Abdilaqim Ademi, me parë dhe Bujar Osmani e të tjerë, ishin të mirë, dhe tani qe ne arritëm një numër të konsiderushëm me ministra shqiptarë ne i riparuam të gjitha të metat. Njëashtu besonte dhe ajo maqedonase, se tani shqiptarët i morën të gjitha postet dhe gradualisht do ta shpallin Shqipërinë Etnike. Në debatin që pati Bujar Osmani në “Opinion” me Blendi Fevizun, Fevziu e pyet Osmanin – me rasin e bërjes së Talat Xhaferit ministër i mbrojtjes – se “a e komandon ushtrinë e Maqedonisë me të vërtetë një shqiptar?” ai u përgjigj: “po absolutisht”. Gjithashtu edhe nëse pyeten ata se a sundojnë shqiptarët në përgjithësi dhe a kanë drejta të barabarta, shqiptarët që na qeverisin si ky i fundit, na e japin të njetjën përgjigje.

Por realiteti qëndron ndryshe nga ajo që ata mundohen ta fabrikojnë dhe ta transmetojnë tek të tjerët që nuk i njohin rrethanat.

Atë që e kam përmend disa herë, dhe do të vazhdoj ta them përsëri, është gabimi i madh që bëjnë partitë politike në Maqedoni, me fryrjen e miteve folklorike te populli, llomotitjet nacionaliste, si përmendja e lufërave që kanë bërë në të kaluarën, se sa trima dhe të fortë kanë qenë, se janë të vjetër sa malet, dhe kështu me rradhë. Qytetarët sot ndoshta nuk e duan qeverinë, por ata përsëri grinden me njëri tjetrin si rezultat i indoktrinimit me gjërat që përmenda më lartë. Viktimë e kësaj kam qenë edhe vet unë, dhe tani e kuptoj më mirë situatën në vend.

Të ndalemi dhe të mendojmë pak, se cilat ishin dëmet që i sollën shoqërisë sonë këto segregime nderetnike që praktikoi qeveria jonë, dhe cilat janë progreset që vijuan pasi krijuam unitet dhe shprehëm shqetësimet tona bashkërisht.

Ne u dëmtuam, kur u grindëm me njëri tjetrin për hesap të politikave të partive në fjalë, si ajo e Kalasë së Shkupit, në të cilën u lënduam moralisht nga perçarja e madhe që u bë, dhe fizikisht duke u gjakosur në atë përplasje, por edhe më pas rrahjet e shumta që do të ndizeshin në pjesën e manipuluar. Fitimtarë nuk dolëm ne, por dolën ata – qeveritarët tanë, të cilët mallkoheshin nga ne. Pas situatës që krijuan në shtetin e tyre, dhe urrejtjen e madhe që e organizuan, ata fituan përsëri kredibilitetin dhe poenat politik. Këtu mund të përmendim rastin e përfshirjes së mjeshtrit të selfieve në rrahje.

Por, çfarë përfituam kur ne bashkuam forcat tona, dhe u koordinuam pa dallime etnike dhe fetare?

Rasti konkret, ne fituam vëmendjen e botës me protestat që organizuam kundër reformave të shtetit, kundër testimit ekstern dhe kundër mosrespektimin të vullnetit të studentëve nga ana e qeverisë. Natyrisht se kjo e ka efektin e vet. Nëse kërkesat tona nuk do të pranohen, të pakten ne përmirësuam marrëdheniet tona dhe në të ardhmen mund ta përdorim këtë si instrument për t’i shqyrtuar brengat tona më lehtë.

Lëkundja e stabilitetit ndëretnik qëllimisht nga qeveria, tani po rrezikohet nga mobilizimi jonë dhe potenciali pozitiv i studentëve për paqe dhe harmoni. Unë si shqiptar nuk e pata problem të protestoj kundër ministrit shqiptar Abdilaqim Ademi. Ndërkohë që unë isha në protesta dhe po flisja shqip me shokët e mi, një grua maqedonase në moshë u gëzua tejmase kur më pa se po flisja shqip, dhe më tha “kështu gjithmonë dua t’ju shoh”.

Problemi qëndron këtu, jo vetëm tek ne në Maqedoni, por edhe në shumë vende tjera, se ne e kemi perceptuar gabimisht çështjën e votimit. Votimi ka një fuqi të madhe nëse i përcjell mirë instruksionet e saj. Si e para, nëse dëshiron të përfaqësohesh nga një shqiptar, votoje atë, por, mos mendo se ajo do të të sjell privilegj vetëm pse ai i përket etnisë tënde. Nëse dëshiron të shohësh administrim të drejtë, bëj një hulumtim rreth kandidatëve, se një pjesë e mirë e tyre, historia ka provuar se janë njerëz të korruptuar, mafiozë, kriminelë e çka jo. Prandaj gjeje më të drejtin, edhe pse është vështirë, dhe pastaj voto. Prandaj, për të pasur kandidatë të mirëfilltë, ne duhet të kontribuojmë për një rini me bindje altruiste.

Pushteti duhet të udhëhiqet nga vullneti i shumicës dhe jo ai i pakicës. Aliahmetat, nikollagruevskit, abdilaqimademat janë pakicë, por ata përsëri na udhëheqin.

Studentët kanë përkrahjen e gjithë pjesës se shkolluar dhe intelektuale të Maqedonisë, ndërsa ana tjetër që i mbron me fanatizëm reformat janë egoistët dhe materialistët në shërbim të çmendurisë qeveritare.

Me studentët u solidarizuan edhe një numër i madh profesorësh dhe dijetarësh ndërkombëtarë nga e gjithë bota, në një letër të nënshkruar nga ata e publikuar në “Al Jazeera”, të cilët ndër tjerash potencojnë atë që e thot dhe Plenumi Studentor, se është shkelur autonomia e univerziteteve dhe nuk është marrë parasysh mendimi i aktorëve kryesorë të kësaj fushe. Në atë letër thuhet se vet se fakti që profesorët univerzitarë janë të përfshirë në protesta, kjo dëshmon se ata që janë kompetent për të cilësuar arsimin univerzitar, po mënjanohen.

Kur erdhi koha e zgjedhjeve presidenciale, rrymat ekstreme proqeveritare të sponzorizuara nga BDI dhe VMRO, mbanin fushata “ç’kombëtarizimi” për ata që nuk votojnë atë që dëshirojnë ata. Maqedonasit që dëshironin ta votojnë Stevo Pendarovskin u shpallën tradhëtarë dhe u etiketuan si “siptar”, ndërsa shqiptarët vetëm nëse do të votonin dikë atë ditë, do të marrin vulën e armikut të kombit. Ata që ranë pre e thirrjeve të tilla, sot po vuajnë nga vendimet e tyre të pamatura. Maqedonasit që votuan përsëri Gruevskin tani po iu nënshtrohen reformave të tij, ndërsa shqiptarët që nuk votuan fare tani kanë një president që është zgjedhur pa pëlqimin e tyre.

Artan Grubi dhe Ermira Mehmeti, qëndrimin e tyre e kanë shprehur në publik se janë në mbrojtje të reformave dhe “magistrit” të metalurgjisë. Të dy e gjykojnë rastin nga prizmi nacionalist. Ata thonë se këto janë përpjekje për të fuqizuar elementin shqiptar në Maqedoni. Pra, ne që jemi kundër ministrit dhe reformave, po e pengojmë procesin për të sofistikuar të drejtat strukturore të shqiptarëve. Mirëpo kjo nuk qëndron në realitet. Nëse do të kishte tendenca të tilla, ajo nuk do të kishte shansa të kalojë me pëlqimin e Gruevskit, sepse ky i fundit është dhe një prej kontribuesve kryesorë të kësaj reforme. Neve nuk kemi nevoj per ide irredentiste dhe separatiste, ne duhet të mundohemi të kemi një jetë paqësore pa luftë dhe pa prezencë të etnocentrizmit.

Me këto fraza patriotike, sikur ato që i përmendëm pak më parë, ne nuk mund të shpresojmë për mirëkuptim nga të tjerët, sepse kjo dhe dëshmon se nese ne do ta kishim pushtetin në dorë, do të vepronim njejtë me etnitë e tjera që janë më të dobët se ne.

Përkatesia etnike nuk të pëcakton nivelin e dinjitetit dhe moralit tënd, siç pretendojnë Mehmeti dhe Grubi. Çfarë rëndësie ka nëse ne kemi ministra shqiptarë që janë kryekëput servilë dhe të paaftë? Ju po na detyroni që t’iu japim merita atyre vetëm për faktin se janë shqiptarë, dhe kjo konsiderohet progres i madh nga ju. Shqiptarë ishin edhe Rrahman Morina, Ali Shukriu, Sinan Hasani, Napoleon Zerva, por çfarë rëndësie kanë ata për ne, çfarë kanë bërë ata për ne, përveç krimeve të tyre?

Pastaj, çfarë rëndësie ka që sot në Univerzitetin e Tetovës mund të studiohet në shqip, ndërkohë që atë e keni politizuar deri në asht, korrupsioni dhe nepotizmi vlojnë, studentët vështirë se mësojnë ndonjë gjë për shkak numrit të madh të studentëve dhe ambientit të papërshtatshëm nga mosinteresimi për rregullimin e univerzitetit. Pastaj një pjesë e madhe përfundojnë duke paguar provimet. Tani dëshironi t’i merni në qafë edhe shqiptarët ortodoks. Nga kjo arrijmë në konkludimin se gjithçka që ata shqiptarizojnë (lexo: DUIzojnë) e djallosin.

Shqiptarët janë penduar për gabimin e bërë, për besën që ua dhanë disa njerëzve vetëm pse i kanë bashkëkombas të tyre. Abdilaqim Ademi nuk u sjell dëm vetëm shqiptarëve, por të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Ne nuk duam të kemi në krye të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës njerëz që dyshohen se e kanë blerë diplomen e tyre. Një njeri që nuk është i zoti edhe t’iu pergjigjet akuzave për atë gjë, si ajo e Kastriot Myftarajt. Ne të gjithë e dimë se ministri jonë nuk është adekuat sa duhet për punën e tij, por me sa mend del një ministër si ai dhe i ofendon studentët, të cilët duhen çmuar nga ana e shtetit, e jo të përbuzen dhe të nënvlerësohen, të akuzohen se janë të paguar nga Sorosi dhe se kinse kanë prapavijë politike me synim që ta rrëzojnë atë nga pushteti. Studentët nuk duan që ai të jetë në pushtet, kjo është e vërtetë, por kjo nuk do të thotë se ata e kanë rënditur në kërkesat e tyre në protesta që ai të shkarkohet nga puna. Nga puna atë mund ta shkarkojë injoranca e tij, se ne studentët nuk jemi duke kërkuar tani që ai të shkarkohet.

Ministri thot se nuk ka nevojë të bëhet zhurmë, sepse ende nuk kemi marrë vendim në lidhje me testimin ekstern, kur do të mirret vendim atëherë do të konsultohemi dhe do të debatojmë. Lind pyetja, si do të konsultohemi ne pasi të implemenohet ajo reformë? Nëse nuk protestojmë tani kur do të protestojmë? Protesta tani e ka efektin, dhe “zhurma” kundër saj tani e ka efektin, sepse kur të vendosni ju atëherë është shumë vonë. Pastaj, çfarë u bë me debatet? Pse nuk pranuat të debatoni me studentët? Apo ndoshta keni frikë që mos t’ju zënë në pozitë të vështirë, siç ndodhi në debatin e kaluar në “24 Вести” në të cilën nuk ishit në gjendje për t’iu pergjigj pyetjeve të Olivera Trajkovskës, dhe ju si një njeri që ka magistruar metalurgjinë duhej t’i dinit.

Injoranca e tij vazhdon më tej kur shqiptarët u ankuan në lidhje me refuzimin e krijimit të paraleleve shqiptarte në shkollen e mesme Arseni Jovkov, ai u prononcua se “përgjegjësia nuk bie mbi ne, por tek drejtoria e shkollës”. Ndërsa në fakt, përgjegjësia bie mbi ministrin, sepse ai ka ingerencat për të reaguar dhe për ta zbatuar kërkesën e shqiptarëve, e cila është mjaftë e nevojshme që të zgjidhet.

Së fundmi qenka prononcuar Ali Ahmeti se gjendja në Maqedoni mund të eskalon dhe të ndodh skenari i njejtë i Ukrainës. Ndërsa konflikti në Ukraine, filloi kur një pjesë e shoqërisë me ideale “pro-perëndimore” u revolutan kundër ish-presidentit Yanukovych, sepse pretendonin se ky i fundit rrezikon të ardhmen e popullit ukrainas me bindjet e tij “pro-ruse”. Vala e demonstratave në Ukrainë ishte kundër qeverisë së Yanukovychit dhe Azarovit, qeveri e cila akuzohej se ngadalësonte proceset integruese në BE dhe NATO, dhe demonstruesit dëshironin që këta të dy bashkë me qeverinë e tyre të dënoheshin me sanksione ndërkombëtare. Të dalim tani te tema; cila është arsyeja që Ali Ahmeti e përmend rastin e Ukrainës? Kujt po ia drejton kërkesën ai për evitimin e ndodhjes së atij skenari? Popullit apo qeverisë së tij?

Nëse është kërkesë e drejtuar ndaj popullit, ky harron shpejtë se ky është ai që po e acaron atë, dhe kërkon vet ai anarkinë dhe importimin e katrahurës që ndodhi në Ukrainë. Ky po e dërgon popullin e vet drejt asaj gjendje, duke e gënjyer vazhdimisht – gënjeshtra për integrimin në NATO në qershor, gënjeshtra për rrezimin e presidentit jo legjitim, në të cilën mashtrove shqiptarët naivë që të mos votojnë, e të tjera. Pra, nëse po i drejtoheni popullit, atëhere nisuni nga vetja, dhe kuptojeni se ju jeni ai që po e afroni skenarin e Ukrainës. Pastaj çfarë kompetence kemi ne? Ju duhet të kujdeseni për këtë punë, jo ne. Ne nuk jemi fajtorë nëse ndodh ai konflikt, por jeni ju që nuk dini ta menaxhoni detyrën e pozitës tuaj.

Nëse është kërkësë drejtuar qeverisë së tij – Nikolla Gruevskit, Gjorgje Ivanovit, e të tjerë – atëherë na tregoni çfarë roli dhe influence keni ju në shtet, meqë jeni pjesë e qeverisë? A do të thotë kjo se fjala e “shpërbërësit” të Jugosllavisë nuk i shkon asgjëkundi? Nëse keni probleme me qeveritarët e palës maqedonase, atëherë pse e pranuat legjitimitetin e Gjorgje Ivanovit për tu bërë president i Republikës së Maqedonisë, ndërsa nga ana tjetër ju me simpatizuesit tuaj ishit në gjendje të na ekzekutonit nëse votojmë për president?

Nëse ju keni patur mundësinë për ta ndarë Maqedoninë në 2001, mirëpo nuk e bëtë sepse ashtu siç thoni ju, po supozojmë nuk donit ta përshkallëzonit konfliktin, atëherë si spjegohen fjalimet me përalla patriotike nëpër mitingje? Çfarë dallimi ka gjuha juaj nacionaliste nga ajo e Gruevskit? Pse ju dhe partia juaj, kur flisni lidhur me arritjet në mandatin tuaj, gjithmonë flisni për flamur, gjuhë dhe bajate të tjera? Ju vet promovoni ndjenja irredentiste te shqiptarët.

Por tani që kemi krijuar një grusht të fortë rezistues, kjo po ua ndërlikon planet atyre që përpiluan iniciativën e reformës. Por sidoqoftë, ideali i studentëve është i qartë dhe i pastër. Ndërsa ju, antagonistët e lëvizjes sonë, do të ishte mirë që t’i argumentonin tezat e juaja, në lidhje me akuzimet se ne protestojmë me ndihmën e Sorosit dhe LSDM-së. Ne vend se të bëni stigmatizime të kota, keni parasysh pak brengat e studentëve, të cilët janë ardhmëria e këtij shteti. Por edhe nëse protestat do të organizoheshin nga Soros dhe LSDM, atëherë pse e lejoni vetën që statusi juaj të bie në atë pozitë dhe t’i lejoni armiqtë tuaj ta shfrytëzojnë rastin? Pse nuk e lironi popullin në momentin që e kuptoni se ata janë kundër asaj që ju po mundoheni ta impononi? Pse vendosni gjoba aq të mëdha kundër atyre që nuk do ta praktikojnë reformën tuaj? Me synim për ta eliminuar zërin e mospajtimit ju aq më shumë e irritoni popullatën.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Nuk ka kenaqesi me te madhe kur lexoj nje student arrin kaq mire ti identifikoj “manipulimet” serike te “bajraktareve” te tij. Kjo eshte forma e vetme per vetdijesim se une, ti etj kemi nevoj per te drejtat qytetare ku mbrenda kesaj te drejte univerzale eshte e drejta e perkatesis…

Back to top button