Oborri i shkollës pa kanalizim, uji vërshon në shtëpinë e familjes Limani

Në shkollën fillore “Imri Elezi” në lagjën e Dizhonit u rregullua oborri i shkollës me qëllim që të përdoret si  teren sportive për nxënësit, mirëpo familja Limani ankohet se nuk është bërë kanalizim dhe sa herë që bie  shi uji i vërshon gjithë oborrin e shtëpisë së kësaj familje.

Kryefamiljari Kadri Limani thotë për Portalb, se oborri i shkollës u asfaltua por prapë nuk u hap kanalizim i cili do të mbledh ujin gjatë kohës me shi.

Ne disa herë ishim viktimë e vërshimeve këtë vit. Disa herë na u shkatërruan mobiliet prej ujit që na hyn në shtëpi. Ne shtëpinë e kemi në fund të rrugës dhe për arsye se shkolla nuk ka kanalizim për mbledhjen e ujit gjatë shirave, i gjithë uji vjen në oborrin tonë dhe ndodh ajo që na ndodhi duke fillu nga muaji maj i këtij viti”, tha për Portalb, Limani.

Ai shtoi se disa herë ka kërkuar nga Komuna që një masë e tillë të ndërmerret por ja që ende nuk është bë asgjë.

“Oborrin e shkollës e rregulluan po ja që kanalizim ende nuk kanë bë. Nuk e di se çfarë do të ndodh nëse edhe këtë pranverë që vjen kemi shira të rrëmbyeshëm si tani që kishim. Do ngelemi sërish pa vend banimi”, tha Limani.

Nga Komuna e Çairit, udhëheqësi i Sektorit për urbanizëm, Xhengis Hani tha për Portalb, se projekte ka dhe që së shpejti do të realizohen dhe ky problem do të mënjanohet.

Rrjet atmosferik në qytetin e Shkupit ka pak, mund të ketë 30 për qind. Ne mundohemi që rrugën kryesore të Dizhonit ta rregullojmë me rrjetin atmosferik që mos të mblidhet uji në rrugica. Jemi duke përpiluar projekte dhe së shpejti pritet të realizohen”, tha për Portalb, Hani.

 3 mijë euro dëm, 20 mijë denarë dëmshpërblim

 Komuna e Çairit dje ndau 20 mijë denarë ndihmë për familjen Limani, shtëpia e të cilëve u bë e pabanueshme shkaku i vërshimeve.

Kadri Limani thotë se këto të holla janë shumë pak por që sërish falënderojnë komunën.

“Ne e falënderojmë komunën mirëpo këto të holla nuk janë asgjë në krahasim me atë që kemi investuar që sërish të kthehemi në shtëpi. Shita makinën dhe hyra borxh për të rregulluar shtëpinë”, tha për Portalb, Limani.

Ndërkaq Rami Qerimi nga Komuna e Çairit thotë se asnjë familje nuk është rrefuzuar për këtë ndihmë dhe se duke u bë rebalanc i buxhetit dhe në bazë të mundësive u bënë pagesat.

“Asnjë familje e cila ka kërkuar ndihmë nuk është refuzuar. U bë rebalanci i buxhetit dhe në bazë të kushteve dhe mundësive u bë pagesa për këto familje”, tha Qerimi.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button