I jepet fund bojkotit, miratohet rezoluta e përbashkët

Pas pesë muajsh bojkot, Partia Demokratike i ka dhënë fund bojkotit duke hyrë në Kuvend dhe miratuar rezolutën e përbashkët.

Nevoja për miratimin e rezolutës së përbashkët është bërë shkak që deputetët e opozitës t’i rikthehen seancës plenare. Rezoluta u miratua me konsensus të plotë nga maxhoranca dhe opozita, me 126 vota pro. Në fillimin e seancës plenare mesditën e sotme, u vu re mungesa e deputetëve demokratë. Më pas ka qenë kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka, i cili ka konfirmuar hyrjen në Kuvend, duke i dhënë fund bojkotit. Në fjalën e tij, Paloka tha se opozita kthehet me kokën lart duke qenë se arriti të realizojë kërkesat. Miratimin e rezolutës, Edi Paloka e cilësoi si mënyrën e duhur për të shpëtuar politikën shqiptare aq sa mundet. Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat, kush e sheh rezolutën si akt për të kaluar radhën gabon.

“Askush të mos mendojë se ne kemi iluzionin e ndryshimit të papritur të vullnetit të kësaj maxhorance. Por nëse dikush e sheh këtë marrëveshje si një akt sa për të kaluar radhën gabon. Nëse e sheh thjesht si kortezi ndaj partnerëve që ndërhynë për realizimin e saj prapë gabon. E ca më shumë nëse ndonjërit do ti pëlqejë ta interpretojë këtë marrëveshje si një favor që ju bë opozitës për ta shpëtuar nga djegia e mandateve gabon dhe gabon shumë rëndë.”, u shpreh Paloka.

Lajme të ngjashme

Back to top button