PROVIMI JASHTË-PLANETAR

Fillimisht të shprehi qëndrimin tim lidhur me provimin shtetëror.

Jam kundër këtij tipi të provimit shtetëror, për këto arsye:

-E para, meqenëse Ministria e arsimit gjatë “debateve dhe diskutimeve publike” nuk tregoi asnjë model të njëjtë evropian apo botëror me tipin e provimit shtetëror të miratuar nga Qeveria, atëherë tipin e tillë të provimit shtetëror kemi të drejtë ta quajmë jashtë-planetar ose jashtë-tokësor, sepse nuk ekziston në asnjë shtet në botë, por s`jam i sigurtë për Korenë e Veriut! Pra, nuk ka shtet në botë ku studentët gjatë studimeve edhe njëherë ju shtrohen të gjitha provimeve të dhëna në të gjitha lëndët! Prandaj, konsideroj se është absurde të diskutohet për diç që nuk ekziston në botë, dhe nëse ky ligj miratohet, atëherë Maqedonia do të jetë shteti i vetëm në rruzullin tokësor me kësi provimi shtetëror, ku faktikisht vet shteti bëhet universitet sepse ia merr universitetit rolin numër një në shoqëri, e ai është vlerësimi dhe kontrollimi i njohurive dhe i dijeve të studentëve sipas programeve studimore të akredituara dhe sipas planprogrameve të lëndëve që janë marrëveshje midis profesorëve dhe studentëve.

-Me këtë tip të provimit shtetëror, studenti i ardhshëm i Maqedonisë do të bëhet studenti i vetëm në botë, që dy herë do ta kryejë fakultetin dhe magjistraturën në të njëjtin program studimor, pra njëherë para profesorëve dhe së dyti, para një trupi 9-të anëtarësh “të gjithëdishëm” për të gjitha lëndët e të gjitha universiteteve në Maqedoni në caktimin e të cilit do të ketë gisht shteti! Provimi do të inçizohet dhe transmetohet “live” në ueb faqen e Ministrisë së arsimit në stilin “Reality Show” ose “Big Brother”! Absurde dhe e paparë! Me këtë tip të provimit shtetëror, studentët e ardhshëm do të ngarkohen me detyrime, maltretime, nënçmim dhe përkulje publike para shtetit (lexo: pushtetit), gjëra që nuk hasen tek asnjë student në rruzullin tokësor!

-E dyta, tipi i tillë i provimit shtetëror nënkupton cenim të përhershëm të autonomisë universitare duke i cenuar edhe të drejtat dhe detyrimet e komunitetit akademik pra, të studentëve dhe të profesorëve. Për arsye se, autonomia universitare garantohet me Kushtetutën e RM-së, mirëpo përmbajtja dhe mbrojtja e saj rregullohet me Ligjin për arsimin e lartë. Kështu, Ligji për arsimin e lartë duke rregulluar përmbajtjen e autonomisë universitare, si element të parë të saj e cakton lirinë akademike e cila mbrohet dhe rregullohet në hollësi me dispozitën e nenit 12. Meqë, Ministria e arsimit në krye me ministrin dhe zv/ministrin shpesh deklaronin se duan ta dinë konkretisht se provimi shtetëror ku e shkel autonominë universitare dhe lirinë akademike si pjesë të saj, mjafton ta lexojnë nenin 12 alineja 4 të ligjit, ku përcaktohet se: “Liria e vlerësimit të njohurive të studentëve është pjesë e lirisë akademike të Universitetit”.

-E treta, ky tip i provimit shtetëror është në kundërshtim edhe me demokracinë dhe legjitimitetin, sepse ai nuk parashihet as në Programin parazgjedhor (384 faqesh) të VMRO-së (PROVERENO) dhe as në Programin e punës (210 faqesh) të Qeverisë për v. 2014. Pra, për këtë tip të provimit shtetëror qytetarët si bartës të sovranitetit në RM nuk e kanë dhënë pëlqimin e tyre në zgjedhjet e fundit parlamentare. Është jodemokratike dhe jolegjitime që Qeveria e shtetit, të realizojë diç që paraprakisht nuk parashihet as me programin parazgjedhor të partisë fituese të zgjedhjeve e as tani, me programin e punës të qeverisë së koalicionit, pra askush nuk i ka pyetur qytetarët dhe as që e gëzon pëlqimin dhe as që e ka mandatin nga shumica e qytetarëve për të vendosur për këtë eksperiment jashtë-planetar dhe jashtë-tokësor.

-E katërta, shpesh u përmend fuqia retroaktive e ligjit, mirëpo Qeveria fare nuk mban llogari se futja edhe njëherë në provime e studentëve të ardhshëm për lëndët e kaluara, vetëvetiu shkel parimin e ndalesës së fuqisë retroaktive sepse nota e profesorit për studentin lidhur me provimin e dhënë, sipas fuqisë ligjore, bëhet përfundimtare, e plotfuqishme dhe finale, sepse notimi paraqet raportin vetëm midis profesorit dhe studentit, dhe çdo anulim i mëpasshëm i notës së fituar i shkel liritë dhe të drejtat e njeriut, e shkel sigurinë juridike të studentëve dhe të profesorëve dhe e shkel parimin e të drejtave të fituara të studentëve.

-Aspekti i pestë ndërlidhet me çështjen nëse në vendin tonë ka provime ose testime shtetërore ku verifikohen dijet e studentëve të diplomuar para se të punësohen? Përgjigja është pozitive, dhe si shembull, duhet theksuar studentët e profilit juridik të cilët para se të punësohen u shtrohen disa tipeve të provimeve shtetërore, si: provimit të judikaturës, provimit për noterë, për avokatë, për përmbarues, për nëpunës shtetëror, testimeve të integritetit, testimeve psikologjike, testimeve të anglishtes, etj, dhe në të gjitha këto tipe të provimeve dhe testimeve shtetërore, verifikohen dijet e studentit përkatësisht diploma e tij e fituar në universitet.

-Nga zv/ministri i arsimit si model për këtë tip të provimit shtetëror, u potencua modeli evropian Çek dhe ai Sllovak! Së bashku me disa kolegë i lexuam dhe i analizuam në hollësi të dyja ligjet e arsimit të lartë të Çekisë dhe Sllovakisë, dhe erdhëm në përfundim se nuk qenka ashtu! Sepse ajo që quhet provim shtetëror në Çeki dhe Sllovaki nuk ka asgjë të përbashkët me tipin e këtij provimi jashtë-planetar që e miratoi Qeveria! Shumëfishi i përbashkët i provimit shtetëror në Çeki dhe Sllovaki, nënkupton prezantimet finale orale të studentëve dhe mbrojtjen e seminareve dhe tezave të diplomës ose të magjistraturës para komisioneve të ndryshme të përbërë nga profesorët dhe docentët e universiteteve të caktuar nga këshillet e fakulteteve ose nga dekanët apo rektorët, me çrast edhe certifikata për dhënien e këtij tipi Çek dhe Sllovak të provimit shtetëror lëshohet vetëm nga universiteti, e jo nga shteti ose ndonjë organ apo trup tjetër jashtë universitetit!

Pra, ky tip i provimit shtetëror sipas modelit Çek dhe Sllovak, ekziston që moti në universitetet e Maqedonisë!

Për dallim nga Qeveria, duhet fuqimisht të besojmë në cilësinë dhe kualitetin e studentëve të Maqedonisë, dhe e di se ata nuk janë më të mirët në botë, mirëpo, janë në të njëjtin rang me kolegët e tyre rajonal dhe evropian dhe me asgjë nuk e meritojnë këtë nënçmim dhe sulm shtetëror ndaj dinjitetit të tyre të njomë intelektual.

Ky tip i provimit shtetëror jo që do ta rrisë cilësinë e arsimit të lartë në vend, por përkundrazi do të shkaktojë pasoja afatgjate të dëmshme në vet funksionimin e universiteteve sepse e ngulfatë mësimdhënien dhe mësimnxënien në universitete, duke degraduar kështu edhe kriterin e tyre në të njëjtin nivel me testet e autoshkollave.

 (Pjesë nga kumtesa e paraqitur në debatin me titull: “Eksperimentimi në arsim-nevojë për cilësi apo kontroll shtetëror”, organizuar nga: Qendra për mirëkuptim dhe bashkëpunim institucional (QMBI) në Shkup, më 22.12.2014)

 

Lajme të ngjashme

Back to top button