DJALLI I FSHEHUR NË LIGJE

Ramë në derexhenë që të na modelohet sistemi arsimor me logjikë obskurantiste dhe ta pranojmë me asnjanësi të trishtueshme. Kjo nuk kish ndodhur as në periudhat më të errëta të historisë së shqiptarëve të Maqedonisë, kur mësuesi e humbte punën, por jo dinjitetin. Ndoshta se dikur të qenit mësues ishte jo vetëm profesion, por edhe mision.

Në emër të kinse reformave të mëdha arsimore formatohen ligje për çdo vit e në praktikë nuk ndodh asgjë të re. Askush nuk mund të thotë se, pas eksperimentimeve ligjore, kemi arsim më cilësor. Sot kemi mësimdhënës, nxënës e studentë të traumatizuar. Mbase ky është qëllimi kryesor. Nëse po atëherë qëllimi është arritur.

Partitë politike, pasi e rrënuan sistemin arsimor, tani bëjnë kinse duan të krijojnë sistem vlerash dhe të bëjnë reforma në sistemin arsimor. Të katapultuarit në majat e pushtetit, pa u dëshmuar në profesionet e tyre, po na flasin për “kritere të mirëfillta”. Deri më sot nuk ka pasur qeveri më mosbesuese ndaj pedagogut, mësuesit, nxënësit e studentit. Politikanët nuk besojnë në punët e mësuesit. Nuk besojnë te notimi i tyre. U shpikën teste të jashtme e të brendshme, që nuk japin rezultate, përveç dënimeve të mësuesve, disa prej të cilëve do të dalin në pension me shenjën e Kainit. Sot mësimdhënësve u dridhen këmbët prej inspektorëve, të cilët ngjajnë si pjesëtarë të njëfarë policie arsimore.

Më nuk kemi shkolla shqipe, por shkolla të përkthyera. Nxënësit shqiptarë mësojnë me tekste shkollore skandaloze. Në shtete demokratike porositësit e teksteve, autorët dhe botuesit do të akuzoheshin për fyerje në baza etnike, kulturore e religjioze.

E ndërsa mësimdhënësit nuk përshtaten me ligjin aktual dhe e refuzojnë heshtazi, sepse çdo refuzim i zëshëm mund t`u hakmerret, ngase autonomia e sferave shoqërore është ngulfatur, Qeveria propozon ligj të ri, i cili, me gjasë, do të miratohet, sepse kjo është qeveri kokëfortë. Ky ligj, po ta analizojmë më thellë dhe jo shkarazi, siç e analizojmë në këtë rast, e godet arsimin shqip, veçanërisht USHT-në, ashtu sikurse e godet rëndë autonominë e universiteteve.

Gjatë një debati, në prani të ministrit të Arsimit, propozova që USHT, në ligjin e ri të propozuar, të kishte trajtim të veçantë. Vetëm kjo do të ishte zgjidhja e duhur. Duke iu referuar shembujve të shteteve më liberale në botë, USHT duhet të jetë institucioni më i privilegjuar në Maqedoni, kundrejt institucioneve të tjera të arsimit të lartë, sepse kështu bëhet kompensimi i padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve dhe ndaj arsimit shqip. Kësi modelesh kemi sa të duash në botën demokratike, por ndaj tyre janë kundër vetëm ata që udhëhiqen me logjikë etnocentriste.

Ishte një propozim edhe pse jam i bindur se partia shqiptare në pushtet, sikurse partitë tjera që ishin në pushtet, nuk kanë kapacitet ta imponojnë një ligj të këtillë, sepse nuk mund të dalin nga matricat e politikës maqedonase.

Ata që nuk e dinë e nuk duan ta dinë, ndërkohë që kërkojnë qime në vezë, nuk i shikojnë asnjëherë statistikat sipas të cilave rezulton se USHT është institucioni më i diskriminuar në vend.

USHT-ja duhet të jetë institucion i privilegjuar edhe nga fakti se procesi deri te zyrtarizmi ka qenë i dhimbshëm dhe i vonshëm. Shikuar nga ky kënd, do të ishte marrëzi nëse që sot do të garonim si të barabartë me universitetet tjera që janë themeluar para disa dekadave. Kjo i bie që të dalim në garë vrapimi kur dikush niset disa qindra metra para nesh.

Shqiptarët e Maqedonisë do ta kishin tejkaluar këtë problem nëse do të ishin angazhuar për krijimin e institucioneve autonome arsimore e kulturore. Si zakonisht pazaret politike hijezojnë projektet që mund të realizoheshin dhe ende mund të realizohen duke u thirrur në parimin e Badinterit, i tillë siç është.

Le ta analizojmë shkarazi edhe ligjin e propozuar për arsimin e lartë, gjegjësisht për institucionet arsimore që përgatisin kuadro për arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm. Është ligj me shumë paqartësi dhe nuk duhet të jesh ekspert i madh për interpretimin e ligjeve që ta kuptosh se djalli fshihet në detaje. Ky djall do të bëjë probleme të shumta në të ardhmen. Problemi i parë qëndron me akreditimin e programeve studimore. Pavarësisht mendimit të komisionit për akreditim, ministri  (i cili në të ardhmen mund të jetë kushdo), ka të drejtë të kërkojë mendim profesional prej një komisioni special dhe të kontestojë akreditimin e programeve studimore.

Kriteret për pranimin e studentëve në institucionet e sipërpërmendura janë të atillë sa shqiptarët në të ardhmen rrezikojnë të mbeten pa mësues. Një kandidat që të pranohet në fakultetet që përgatisin kuadro për mësimdhënës në arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm duhet të ketë notë mesatare më së paku katër nga shkolla e mesme, që nuk është e kontestueshme, të ketë certifikatë të pranuar ndërkombëtarisht për njohjen e gjuhës angleze (ndonëse do të duhej të kishte certifikatë për njohjen solide të gjuhës që do të ligjërojë), të ketë kaluar testin psikologjik (pa u theksuar se si do të jenë testet), kurse shpenzimet për çdo test, që janë të kushtueshëm, mbeten ngarkesë e kandidatit. I gjithë procesi i provimit pranues do të xhirohet me kamerë, do të emetohet në faqen e internetit të institucionit arsimor dhe do të monitorohet nga dy përfaqësues të ministrisë së Arsimit!

Ligjëruesit duhet të kalojnë testin e personalitetit e të integritetit dhe të kenë certifikatë të pranuar ndërkombëtarisht për njohje të gjuhës angleze. Se çfarë parasheh dhe kush vendos se a ke “personalitet” e “integritet” për të qenë pedagog këtë ligji nuk na e thotë. Dyshoj se nëse ke gjykim kritik ndaj pushtetit rrezikon të ngelësh pa “personalitet” e pa “integritet”. Disi e ngjashme me “përshtatshmërinë ideopolitike” të kohës së monizmit.

Ligji diskriminon që në fillim USHT-në, sepse në rast se paraqiten në konkurs disa kandidatë për pedagogë, përparësi ka i doktoruari në universitetin e ranguar më lartë sipas listave famoze të Shangajit. Kjo i bie se ai që ka doktoruar në Universitetin e Shkupit ka përparësi prej atyre që kanë doktoruar në universitetet tjera shqiptare.

Komisioni Recensues për zgjedhjen e mësimdhënësve, që duhet të marrin thirrje akademike, formohet me konsultime paraprake me ministrin (!), i përbërë nga pesë anëtarë, dy prej të cilëve vijnë nga jashtë, sipas kritereve që bazohen po në listën famoze të Shangajit. Kriteret e sipërpërmendur në një të ardhme të afërt do ta lënë USHT pa pedagogë dhe nuk përjashtohet mundësia të punësohen profesorë maqedonas që do t’u ligjërojnë studentëve shqiptarë, vetëm se mund të kenë një certifikatë për njohjen e gjuhës angleze (nuk ka rëndësi nëse pedagogu njeh mirë një gjuhë tjetër) apo se kanë doktoruar në një universitet të ranguar më lartë, pa çka se edhe në universitetet e ranguara më lartë nuk prodhohen gjeni.

Nëse dikush mendon se kam diçka personale, e them se ligji nuk më rrezikon personalisht.  Shqetësimi im ndërlidhet me të ardhmen e institucionit. Dhe kjo më dhemb, sikurse çdo shqiptari.

Sa për notimin e jashtëm të studentëve kam një propozim konkret: pedagogët le të ligjërojnë, kurse notimin le ta bëjë qeveria. Nëse ua merr mendja ekspertëve qeveritarë, atëherë le t’i mbajnë edhe ligjëratat. Edhe ashtu janë të gjithëdijshëm. Kjo botë të jep shumë mundësi. Do të gjejmë ndonjë punë tjetër për të mbijetuar dreqi e marrtë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button