Rusi, norma e interesit nuk shpëton rublën

Rritja tronditëse e normës bazë të interesit nga Banka Qendrore e Rusisë nuk e ka frenuar dot pikiatën e rublës ruse.

Në përpjekje për të ndalur zhvlerësimin e monedhës kombetare kundrejt dollarit amerikan, institucioni që kujdeset për shëndetin financiar të vendit e çoi normën e interesit nga 10.5 në 17%.

Një lëizje drastike e detyruar nga rrethanat: ndërhyrja e një jave më parë e ngriti mekanizmin përcaktues të interesave të kredisë dhe depozitave në treg nga 9.5 në 10.5%, por kjo pak ndikim pati mbi rublën, që vazhdoi rrëshqitjen.

Përgjatë 2014-s, monedha ruse ka humbur gati 50% të vlerës ndaj dollarit. Fenomeni shqetësues i detyrohet sa tkurrjes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, ashtu edhe peshës së sanksioneve të Perëndimit mbi ekonominë ruse.

Problemet me të cilat ajo ndeshet sot, liderët rusë ia faturojnë Perëndimit dhe masave ndëshkuese të vendosura ndaj Moskës për ndërhyrjen në Ukrainë. Ata këmbëngulin se dy faktorët e cituar si shkaqet e ngërçit ku ndodhet vendi i kushtojnë Moskës 140 miliardë dollarë në vit.

Megjithatë, mjaft ekspertë argumentojnë se fajin e ka mbështetja e tepruar e Rusisë tek burimet energjitike dhe eksportet e lëndës së parë. Nga ana tjetër, edhe çmimet e konsumit janë rritur për shkak të hakmarrjes së Kremlinit duke bllokuar importin e mallrave nga Perëndimi.

Pavarësisht kësaj, propaganda shtetërore vazhdon përpjekjet për ta kanalizuar zemërimin e publikut ndaj të ashtuquajturve “armiq të jashtëm”, edhe pse në këtë pikë është e qartë për të gjithë se autoritetet vendase shumë pak po bëjnë që investimet e huaja të mos largohen nga vendi. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button