Kurti: PDK i ka borxh SHIK-ut, jo populli

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti është i bindur se PDK-ja ka ardhur në pushtet përmes Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), të cilin e drejtonte Kadri Veseli, tashmë kryetar i Kuvendit të Kosovës. Prandaj, thotë Kurti, borxhin që e ka partia e Thaçit ndaj këtij shërbimi duhet ta paguajë vetë e jo populli i Kosovës me buxhetin e shtetit apo me pozitat institucionale.

Gjatë një interviste për “Zërin” lideri i Vetëvendosjes thotë se duhet të krijohet një Komision Hetimor Parlamentar, për përbërjen dhe përmbajtjen e SHIK-ut, strukturën e qëllimet, bazën ligjore dhe rregulloren e punës, llogaridhënien dhe financat e SHIK-ut

“Besoj që PDK-ja ka ardhur në pushtet përmes SHIK-ut dhe se PDK-ja i ka shumë borxh SHIK-ut. Këtë borxh të PDK-së ndaj SHIK-ut le ta lajë vetë ajo, e jo populli i Kosovës me buxhetin e shtetit apo pozitat institucionale. Komisioni Hetimor Parlamentar duhet të zbardhë përbërjen e përmbajtjen, strukturën e qëllimet, bazën ligjore dhe rregulloren e punës, llogaridhënien dhe financat e SHIK-ut. Nëse kanë qenë në shërbim të krejt Kosovës, atëherë si bëhet që të gjithë agjentët kryesorë të saj ishin apo u bënë deputetë, zëvendësministra e ministra të PDK-së dhe vetëm të PDK-së, pra vetëm të njërës parti?! Nëse paskan hequr keq në punën e tyre siç ankohen dhe nëse janë modestë siç prezantohen, atëherë si u bë të jenë kaq të pasur bashkë me rrethin e tyre familjar që ka mungesë të theksuar të papunësisë?!”, ka thënë Kurti. /Zëri/

Lajme të ngjashme

Back to top button