Përmbaruesi ia konfiskon shtëpinë gabimisht dhe kalon pa u ndëshkuar

Një përmbarues nga Shtipi i ka konfiskuar një shtëpi prej 270 metra katrorë një qytetari të tij, edhe pse në aktgjykim ka shkruar se objekt i përmbarimit duhet të jenë vetëm 135 metra katrorë të shtëpisë së borxhliut. Për këtë shkak qytetari i Shtipit ka ngritur një kallëzim penal, të cilin prokuroria e ka hedhur poshtë si të pabazuar sepse në aktgjykim askund nuk ka shkruar se shtëpia është me dy kate, kurse borxhliut është dashur t’i konfiskohet vetëm një kat. Ky është vetëm një shembull, përkatësisht një rast për mosbesim, në të cilin qytetari nuk ka arritur ta dëshmonte gabimin e përmbaruesit.

Qytetarët me padi kundër përmbaruesve, prokuroria i hedh poshtë

Çdo ditë nëpër gjithë vendin shiten dhjetëra banesa, ara, makina, madje edhe nga ato më luksoze, të konfiskuar nga qytetarë që kanë borxhe, të cilët nuk kanë arritur t’i shlyejnë borxhet me kohë dhe të shpëtohen nga situata e vështirë – një përmbarues t’u trokasë në derë. Ka raste të shpeshta kur familje të tëra janë të detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre, duke mbetur praktikisht pa asgjë, në rrugë. Qytetarët të cilët kanë përjetuar këtë, i pranojnë gabimet e tyre dhe pagesën jo me kohë të borxheve, por shumë ankohen për sjelljen e përmbaruesve. Në pamundësi për t’i dalë ballë presionit, ata gjithnjë e më shumë vendosin të ngrenë kallëzime penale kundër përmbaruesve, për të cilët mendojnë se i kanë shkelur autorizimet, por prokuroria si një rregull i hedh poshtë kallëzimet për keqpërdorimet e pozitës zyrtare të përmbaruesve si të pabazuara.
Nga 106 kallëzime penale që janë ngrenë nga qytetarët, në periudhën 2006-2013, prokuroria ka hedhur poshtë 95 për qind prej tyre ose 101 kallëzime penale kundër përmbaruesve.

Më shpesh ato përfundojnë ose me paralajmërime ose me gjoba. Kështu, në periudhën prej vitit 2011 deri në gusht të vitit 2014, vetëm në zonën e Prokurorisë së Lartë Publike në Shtip kundër përmbaruesve janë parashtruar 106 propozime për të iniciuar një procedurë disiplinore. Nga këto, në dy vitet e fundit kundër 16 përmbaruesve është shqiptuar një paralajmërim publik, kurse 30 përmbarues janë dënuar me gjoba.
Ish-Ministri i Drejtësisë, Mihajlo Manevski, në mandatin e të cilit u aplikua funksioni i përmbaruesit, thotë se këto numra tregojnë se përmbaruesit nuk kanë gabuar shumë në punën e tyre.
Numri më i madh i masave të shqiptuara janë paralajmërim publik ose gjobë me para që tregon se bëhet fjalë për lloje më të lehta të konstatuara të shkeljeve disiplinore në punë”, konsideron Manevski.
Ai është decid se përmbaruesi është i detyruar të kujdeset për dinjitetin e palëve, pjesëmarrësve në procedurën e përmbarimit dhe të familjeve të tyre dhe përmbarimi të jetë më i volitshëm për borxhliun. Megjithatë, sipas tij, edhe qytetarët duhet të kenë parasysh faktin se kallëzimet penale që i parashtrojnë duhet të jenë të bazuara.
Palët që janë të prekura nga masat e ndërmarra të përmbarimit jo rrallë vendosin të parashtrojnë ankesa ose kallëzime për vepra të kryera penale nga ana e përmbaruesit, pavarësisht nëse ka ose nuk ka bazë për ekzistencën e veprës penale. Kjo është më shumë si një shprehje e revoltës dhe mospajtimit me procedurën e përmbaruesve“, konsideron Manevski.

Varfëria rritet, pagesa e borxheve ulet

Siç rritet varfëria aq mblidhen lëndët për pagesën e borxheve. Nga Dhoma e përmbaruesve thonë se pagesa është në rënie. Në vitin 2013, përmbaruesit kanë arritur të mbledhin afër 120 milionë euro ose rreth 36 për qind të borxheve të përgjithshme. Në nëntë muajt e parë të vitit 2014, trendi i pagesës së borxheve ka rënë dhe është pak më shumë se 33 për qind e borxheve.

Më e dobët është pagesa e borxheve në Koçan, Dellçevë, Vinicë dhe Berovë, kurse përqindja e realizimit është më e lartë në Shkup“, informojnë nga oda.

Sipas të dhënave të tyre, më shumë prona të patundshme të shitura (banesa, ara dhe pronë tjetër) ka në Shkup (2.090), si dhe më shumë (101) sende të luajtshme të shitura (makina, makineri, vegla etj).
Në Koçan, Berovë, Vinicë dhe Dellçevë së bashku ja shitur 138 sende të luajtshme dhe shtatë prona të patundshme. Më shumë para janë marrë nga llogaritë e transaksionit (5.992) të qytetarëve të Shkupit, kurse më pak nga llogaritë (374) të qytetarëve të Tetovës.

Ligji i përmbarimit duhet të ndryshohet

Ish-kreu i Prokurorisë së Lartë Publike në ShtipTodor Vitllarov shpjegon se problemi qëndron në boshllëqet ligjore që ekzistojnë në Ligjin e përmbarimit.

Problemi më i madh është në ndalimin e procedurës së përmbarimit. Sipas ligjit ekzistues, përmbaruesi nuk mund ta ndalojë procedurën për kthimin e borxhit, edhe pse në ndërkohë mund të ndodhë që kreditori ta ketë tërhequr kërkesën për përmbarim. Prandaj mendoj se varësisht nga situata, përmbaruesit duhet t’i jepet e drejta për t’i ndaluar procedurat sipas detyrës zyrtare”, thotë Vitllarov.

Ai paralajmëron se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm kur ngrenë kallëzime penale, për çfarë saktësisht do t’i padisin përmbaruesit sepse pranimi ose refuzimi i kallëzimit varet nga ajo se si do të kualifikohet vepra penale kundër autorit.
Arsyeja më e shpeshtë për inicimin e procedurës disiplinore është shkelja gjatë pagesës së borxhit nga llogaria e transaksioni kur borxhliut në vend të 1/3 i merret gjithë paga ose pensioni dhe me këtë bllokohet llogaria në bankë.

Sipas të dhënave të Odës së përmbaruesve, numri më i madh (25) nga 106 kallëzimet penale të parashtruara në periudhën 2006-2013 ishin ngritur në vitin 2010. Në vitin 2014 vetëm në zonën e Prokurorisë së Lartë Publike në Shtip ka pasur kallëzime kundër 11 përmbaruesve, kurse për nëntë prej tyre kallëzimet penale janë hedhur poshtë si të pabazuara./Inbox7

Lajme të ngjashme

Back to top button