Nxënësit e klasave të dyta në Krushopek bojkotojnë mësimin

Këshilli i Prindërve në shkollën fillore periferike “Dituria” Krushopek ka marrë vendim që të bojkotohet mësimi në paralelen e klasës së dytë. Arsyeja për bojkot të mësimit është mospagesa e mësueses që punon në këtë paralele tash e një vit pa u rregulluar statusi i saj.

“Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës u paska dashur që 47 nxënës të mësojnë në një klasë. Kërkojmë që të sigurohet rroga për arsimtaren e kësaj paraleleje, përndryshe bojkoti do të vazhdoj dhe assesi nuk do të pranojmë që të bëhet bashkimi i dy paraleleve. Këto padrejtësi janë të patolerueshme kur në të njëjtën shkollë ka paralele maqedonase me 2 nxënës dhe kjo udhëhiqet si klasë e plotë”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Prindërve të kësaj shkolle.

Në letrën e drejtorisë së shkollës fillore “Dituria”- Saraj të dërguar në adresë të kryetarit të Komunës së Sarajit, më 9 dhjetor të vitit 2014, gjithashtu thuhet se bojkoti në shkollën periferike në Krushopek vjen si pasojë e mosdhënies së pëlqimit për paralelen e klasës së dytë. Drejtoria e njofton kryetarin e Komunës së Sarajit se bojkoti do të vazhdojë derisa Ministria e Arsimit dhe Shkencës të pranojë kërkesën e Këshillit të Prindërve.

Ky është rasti i dytë që të bojkotohet mësimi në këtë shkollë fillore. Bojkot kishte pasur edhe vitin e kaluar për shkak të vendimit të komunës për të punësuar një mësuese e cila ishte e papranueshme për vendasit. Në atë kohë, mësimi zhvillohej jashtë objektit shkollor nga një mësuese vendase. Që nga ajo kohë, statusi i mësueses për këtë paralele ka mbetur i pazgjidhur.

Lajme të ngjashme

Back to top button