Ose ndihma sociale, ose baste

Shfrytëzuesit e ndihmave sociale janë gjatë gjithë kohës nën vëzhgim të komisioneve përkatëse të Ministrisë së Financave për verifikim të gjendjes financiare në xhirollogaritë e tyre. Ato vëzhgohen nëse krahas ndihmës sociale pranojnë ose jo edhe të hyra të tjera, shkruan Gazeta Koha.

Personat që janë shfrytëzues të ndihmës sociale nuk guxojnë të luajnë lojëra fati ose të pranojnë donacione, për ndryshe e humbin këtë të drejtë. Krahas verifikimi të kushteve faktike mbi pronën e tyre të tundshme dhe patundshme, u vëzhgohet edhe xhirollogaria bankare. Gjatë gjithë kohës, shfrytëzuesit e ndihmave sociale janë nën vëzhgim të komisioneve përkatëse të Ministrisë së Financave për verifikim të gjendjes financiare në xhirollogaritë e tyre. Ato vëzhgohen nëse krahas ndihmës sociale që ju takon, pranojnë ose jo edhe të hyra të tjera. Nëse në llogaritë bankare të personave që shfrytëzojnë ndihma sociale nga ana e shtetit hasen mjete që u kanë hyrë si subvencione, nga lojërat e fatit ose lloje të tjera ndihmash nga jashtë, Komisioni përkatës ligjërisht obligohet që atyre familjeve tua ndalojë të drejtën e shfrytëzimit të ndihmave sociale.Realizimi bëhet nëpërmjet një programi kompjuterik i cili bën automatikisht selektimin e të dhënave të kësaj natyre.

Përfaqësuesi i Qendrës për Punë dhe Politikë Sociale në Gostivar, Muhamed Tahiri, saktëson që: “çdo familje shfrytëzuese e ndihmave sociale nëse ka të ardhura, subvencione ose të ardhura nga lojërat e fatit apo të hyra tjera që i kalojnë limitet e caktuara ligjore, atëherë ligjërisht nuk u takon ndihma sociale. Shuma minimale e ndihmave sociale mban vlerën prej 2100 denarë, kur bëhet fjalë për 1 anëtarë, ndërsa shuma maksimale arrin në 5600 denarë kur numri i anëtarëve të paraqitur është nga pesë e më tepër persona. Nëse kontrollet financiare vërtetojnë të hyra të tjera jashtë këtyre mjeteve, atëherë shfrytëzuesit e ndihmave sociale nga ana e shtetit, e humbin të drejtën e shfrytëzimit. “Në Gostivar nuk kanë hasur në ndonjë rast të këtillë dhe se numri prej 3038 personave që janë të evidentuar në këtë qendër si nevojtarë të ndihmave sociale, janë raste reale tek të cilët paraprakisht komisioni përkatës ka verifikuar kushtet e tyre në teren, dhe në fund ka sjell vendim në favor të tyre. Ligjërisht, vendimi merret vetëm në bazë të kushteve që parashikon ligji dhe që definohet qartë nëse një familje do të jetë shfrytëzuese e ndihmës sociale apo jo”, tha Tahiri.

Ndryshe, numri i shfrytëzuesve të ndihmave sociale në Gostivar shënon rënie. Këtë e vërtetojnë numrat e rinj që dolën nga procedura e ripërtëritjes së dokumentacionit që Qendra Ndërkomunale për Punë dhe Politikë Sociale e realizoi brenda muajt nëntor. Muhamed Tairi, udhëheqës i sektorit të ndihmave sociale, njoftoi se deri më datë 30 nëntor kanë qenë të evidentuar gjithsej 3352, ndërsa pas ripërtëritjes numri i shfrytëzuesve të ndihmave sociale ka rënë në 3038 që do të thotë se 314 persona e kanë humbur të drejtën e shfrytëzimit të ndihmave sociale./Koha.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button