Qeveria lëshoi bombat para opozitës për të frikësuar studentët

Pas shpërthimeve, në Tetovë dhe në Kumanovë, rrjetet sociale janë mbushur përplot me komente ku shprehen dyshime të drejtpërdrejta se policia ka inskenuar sulmet me bomba në stacionet policore në Kumanovë dhe Tetovë. “Stacione të sulmuara në Tetovë dhe Kumanovë. Aloo njerëz, sa të doni mund ta sulmoni vetveten me kashikara, por këto finta nuk ndezin më”, ka komentuar në facebook një analist i njohur, shkruan gazeta Lajm.

Shumica e komentuesve në rrjetet sociale mendojnë se sulmet në Kumanovë dhe Tetovë mund të jenë të inskenuara, për të frikësuar studentët të mos dalin në numër të madh në protesta. Ata rikujtojnë se (rastësisht ose qëllimisht), një natë para se të organizoheshin protestat e tetovarëve kundër “Jugohromit”, ndodhi sulmi me granata ndaj qeverisë, sulm i cili akoma nuk është ndriçuar.

Profesori Jove Kekenovski dyshon se shpërthimet në afërsi të stacioneve policore kanë për qëllim të ndalojnë, ardhjen e pranverës.

Në profilin e tij në Facebook, Kekenovski thotë se efekti i shpërthimeve duhej të ishte mbjellja e frikës pak orë para se të fillonte marshi i studentëve.

“Të përballur me dilemën nëse bomba e paralajmëruar nga Strumica (nga Zaev) do të shpërthejë me pasoja të pallogaritshme ose do të jetë thjesht një plumb qorr, disa të tjerë në vigjilje të marshit të studentëve tentuan të arrijnë një tjetër efekt: të mbjellin frikë dhe shqetësim. Kam përshtypjen se edhe sikur t’i nxirrnin tankset në rrugë, nuk mund të ndalojnë ardhjen e pranverës”, shkruan Kekenovski.

Nga subjektet politike ka reaguar vetëm Lëvizja “Besa” e cila në sulmet e bëra ndaj stacioneve policore në Tetovë e Kumanovë lexon synime për ta hedhur gurin e për të fshehur dorën.

“Duke pasur përvojën e hidhur që në shtetin tonë disa herë këto faje u janë përshkruar shqiptarëve dhe, madje, ata i kanë vuajtur dhe po i vuajnë edhe sot më së shumti këto veprime, BESA konsideron se mos zbardhja e shpejtë e këtyre rasteve, si dhe mosgjykimi i drejtë dhe i paanshëm i atyre autorëve, do të ngrejë edhe më shumë dyshime dhe do ta thellojë edhe më shumë mosbesimin ndërmjet komuniteteve në vendin tonë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.

Lajme të ngjashme

Back to top button