Migrimi dëmton imazhin e Kosovës

Kërkesat e shumta të kosovarëve për azil në vendet e zonës Shengen kanë ndikuar në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Zyrtarë të BE-së në Prishtinë, thonë se kjo nuk është në interes të Kosovës dhe se Prishtina zyrtare duhet t’i adresohet kësaj çështjeje sa më parë.

Migrimet ilegale të kosovarëve, kohëve të fundit për në vendet e zonës Shengen, për një jetë më të mirë kanë dëmtuar imazhin e Kosovës, si vend i sigurt. Franca madje ka larguar Kosovën nga lista e vendeve të sigurta dhe ka marr vendim për shqyrtim sa më të shpejtë të të gjitha kërkesave të azilkërkuesve që vijnë nga Kosova.

Analistët në vend vlerësojnë se kjo do të ndikojë në procesin e liberalizmit të vizave për qytetarët kosovarë, raporton RTK.

Zyrtarë të Zyrës së Bashkimit Evropianë në Kosovë, deklaruan për Radio Kosovën se nuk është në interes të Kosovës, që të rritet numri i azilkërkuesve kosovarë në vendet e BE-së. Nëpërmjet një përgjigje të dërguar me posë elektronike, ata kanë thënë se “ Prishtina zyrtare duhet t’i plotësojë të gjitha kërkesa që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizim, para se Komisioni Evropian të propozojë që të vendosë Kosovën në “listën e bardhë”.

Nuk është në interes të Kosovës që të rritet numri i azilkërkuesve. Duhet të ndërmerren hapa të mëtejmë në përforcimin e kornizës ligjore për mbrojtjen e të drejtëve të njeriut. Parlamenti i Kosovës duhet të adaptojë sa më shpejtë paketën e ligjeve për të drejtat e njeriut“, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së, në Prishtinë.

Duke u bazuar në direktivat e procedurave të azilkërkuesve, secili vend anëtarë i BE-së, vendosë vetë në atë se cilin vend e largon apo e futë në listën e vendeve të sigurta.

Njohësi i çështjeve të integrimeve evropianë, Avni Mazreku fajin kryesorë thotë se duhet kërkuar te adresa e qeverisë së kaluar. Sipas tij, ish qeveria e Kosovës, asnjëherë nuk është marr seriozisht me kërkesat e qytetareve të saj.

“Kërkesat e mëdha që vijnë për azil nga Kosova në vende të ndryshme të BE-së, jo vetëm në Francë, e dëmtojnë drejtpërdrejtë procesin e liberalizmit të vizave. Rrjedhimisht kjo është edhe aspekti më negativ që ndikon në procedurat e anëtarësimit të një vendi në BE”.

Në raportin e progresit të BE-së, për Kosovën për vitin 2014 thuhet se vala e migrimit dhe rritja e kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës, duhet të adresohen sa më parë nga institucionet e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button